Rashica do të largohet nga Beshiktashi
E ardhmja e Milot Rashicës nuk do të jetë te Beshiktashi, pasi klubi nga Turqia do ta nxjerrë në shitje futbollistin e Kosovës me të përfunduar sezoni aktual.
Është trajneri Sergen Yalcin, ai që ka sugjeruar shitjen e Rashicës në verë pasi sulmuesi i krahut nuk ka arritur ta bind deri më tani. 29-vjeçari nuk po ka minutazhë të madhe pasi trajneri nuk e sheh si pjesë të projektit, dhe tashmë Beshiktashi është në pritje të ofertave për Rashicën. Që nga ardhja e trajnerit Yalçın, Rashica ka pasur shumë pak minuta të plota, duke u përfshirë vetëm katër herë si titullar për 90 minuta.
Lojtari ishte pjesë e formacionit titullar më së fundi më 15 shkurt, në ndeshjen kundër Başakşehir. Në total, Rashica ka luajtur në 24 ndeshje këtë sezon nën drejtimin e Yalçın. Megjithatë, vetëm në katër prej këtyre ndeshjeve ka qëndruar 90 minuta të plota në fushë, një tregues i qartë se trajneri nuk e sheh si zgjedhje kryesore në formacionin e tij. Në 28 paraqitje këtë sezon, Rashica ka 2 gola e 5 asistime kurse me Beshiktashin ka kontratë deri në verën e vitit 2027. Ai prej vitit 2023 është pjesë e Beshiktashit, ndërsa ka luajtur edhe për Norwich Cityn, Galatasarayin, Werder Bremenin e Vitessen.



