
Rashiq: Integrimi i arsimit dhe shëndetësisë serbe duhet të bëhet përmes konsultimeve, edhe me përfshirje të Listës Serbe
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka theksuar se integrimi i arsimit dhe shëndetësisë paralele serbe në sistemin e Kosovës është proces i domosdoshëm, por që duhet të zhvillohet me kujdes për të evituar pasojat negative për komunitetin serb.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Rashiq tha se procesi duhet të realizohet përmes konsultimeve dhe harmonizimit të qëndrimeve, në mënyrë që të minimizohen pasojat e mundshme negative për komunitetin serb.
Ministri bëri të ditur se në këtë proces do të ftohet edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila tashmë është shprehur kundër integrimit të sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin kosovar.
“Ata do të ftohen, nëse unë jam pjesë e procesit, e me siguri do të jem, dhe nëse refuzojnë bashkëpunimin, përgjegjësia është e tyre”, deklaroi Rashiq.
Rashiq theksoi se krijimi i “një forme Asociacioni” është i rëndësishëm për të siguruar stabilitetin e nevojshëm gjatë procesit të integrimit.
Sipas tij, një strukturë e tillë do t’u ofronte serbëve një garanci fillestare se integrimi nuk do t’i linte pa punë dhe pa siguri, duke krijuar kështu kushtet për një tranzicion të qetë.
Duke folur për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në prag të skadimit të masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese, Rashiq shprehu rezerva personale rreth kandidimit për pozitën e nënkryetarit.
“Sinqerisht, nuk do të doja të kandidoja për nënkryetar”, tha ai.