Rashiq korrigjon deklaratën për tokën e Manastirit të Deçanit
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, e tërhoqi deklaratën e tij se kryeministri Albin Kurti, për shkak të tij, i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës në mars të vitit 2024 të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese nga viti 2016 për kthimin e tokës te Manastiri i Deçanit.
Në një intervistë për radion lokale, Radio Gorazhdevci, Rashiq tha se Kurti i ka thënë atëkohë: “Këtë e kemi bërë për ty”.
“Deklarata ime nuk ishte plotësisht e saktë, sepse e ngatërrova atë fjali me një bisedë që ndodhi më parë, kur miratova vizitën e Patriarkut serb. Gabimi im ishte i paqëllimshëm dhe ndërrimi i ngjarjeve ndodhi sepse kanë kaluar disa vite që nga ajo kohë”, tha Rashiq në reagimin dërguar mediave.
Deklarata e Rashiqit se 24 hektarë tokë iu kthyen Manastirit të Deçanit për shkak të tij, nxiti reagime të shumta, ndërsa zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, e mohoi menjëherë atë.
Ai deklaroi se çështja e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, u sqarua qartë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe në konferencën për shtyp më pas, dhe se ishte kusht i Këshillit të Evropës kur Kosova aplikoi për anëtarësim në këtë organizatë.
“Ajo çka ka ngatërruar ministri Nenad Rashiq, është pranimi i kërkesës së tij për vizitë të Patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023, siç mund ta shihni në fotografinë më poshtë”, shkroi Manxhuka në një postim në llogarinë e tij në Facebook.



