
Rashiq: Me veprime si dje, KQZ-ja popullarizon Listën Serbe, i jep material të viktimizohet
Deputeti serb, Nenad Rashiq, ka thënë se vendimi i djeshëm i KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe zgjedhjet e 12 tetorit, i ndihmon asaj të viktimizohet para serbëve në Kosovë dhe te ndërkombëtarët.
“Duhet të kuptohet se KQZ në atë përbërje është nominnuar nga radhët e partive politike kështu që më shumë ka peshë politike sesa juridike. Si politikan jam dhe kam qenë kundërshtar i Listës Serbe dhe me gjithë qejf kisha dashur që t’i fitoj ata, por kjo është një mënyrë që përfiton, prolongon dhe i jep Listës Serbe një popullaritet më të madh se kinse janë të penguar, kinse të bllokuar, kinse dikush iu bën diskriminime”, ka thënë Rashiqi.
Ai ka thënë se nuk është pro këtyre metodave, si ajo që ka ndodhur në KQZ dje.
“Prandaj, e përdorin atë vendim që të viktimizohen dhe t’i ftojnë serbët të votojnë më shumë për ata, ku bëjnë ankesa të ndërkombëtarët. Prandaj unë nuk jam për këto metoda, sepse në fund të fundit nuk janë në frymën e një sistemi demokratik në esencë”, ka thënë Rashiqi.