Rashkaj: Kualifikimi në Evropian, i mundshëm

20 qershor 2019 | 20:08

Anel Rashkaj për “Epokën e re” ka shfaqur optimizëm se Kosova mund të kualifikohet në Kampionatin Evropian.

Mesfushori i rikthyer pas një kohe të gjatë në Përfaqësuesen e Kosovës në futboll, Anel Rashkaj, ka thënë për “Epokën e re” se katër pikët e fituara në dy ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian “Euro 2020” ndaj Malit të Zi dhe Bullgarisë janë rezultate pozitive për “Dardanët”. Sipas mesfushorit Rashkaj, Kosova ka shanse të mira për kualifikim historik në Kampionatin Evropian. “Normalisht se jam i kënaqur me rezultatet e arritura në dy ndeshjet e fundit. Shpresoj të vazhdojmë kështu edhe në ndeshjet e radhës. Kemi gjasa për kualifikim në Evropian”, ka thënë Rashkaj.

Aktualisht Kosova e drejtuar nga trajneri Bernard Challandes është e treta në Grupin A, në vend të dytë është Çekia me pikë të barabarta. 29-vjeçari Anel Rashka u rikthye pas rreth dy vjetësh në Përfaqësuese, kurse u inkuadrua në lojë në ndeshjen ndaj Bullgarisë dhe i ka dhënë shumë siguri lojës së “Dardanëve”, të cilët arritën fitore në fund të ndeshjes me rezultat 3-2.

Lidhur me të ardhmen e tij në Përfaqësuese, Rashkaj ishte i shkurtër në përgjigje: “Duhet ta mbaj formën dhe të luaj mirë, pastaj vijnë të tjerat”. Pas përfundimit të ndeshjeve kualifikuese shumë zëra qarkulluan duke e lidhur Rashkajn me një transferim te skuadra kampione e Kosovës, Feronikeli. Ai e ka përjashtuar rikthimin në futbollin e Kosovës. “Nuk ka asgjë të vërtetë rreth këtij transferimi”, ka shtuar anëtari i AFC Eskilstuna.

Rashkaj gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për Prishtinën, Halmstadin dhe Sandnesin. Anel Rashkaj ishte kapiteni i parë i Kosovës dhe e udhëhoqi skuadrën në ndeshjen ndaj Haitit, kurse gjasat janë të madha që ai të ftohet edhe në ndeshjet e ardhshme ku Kosova përballet më 7 shtator me Çekinë në “Fadil Vokrri” dhe më 10 shtator “St. Mary’s Stadium”, pasi mesfushori i Luzernit, Hekuran Kryeziu, është i lënduar dhe nuk pritet të rikthehet gjatë këtij viti.

/Veton ZYMBERI/  

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident komunikacioni ka ndodhur sot afër rrethit përballë kazermës…