
Rastet me fruth në Kosovë, Vishaj: Rënia e vaksinimit po ndikon në rritjen e rasteve
Pesë pacientë me fruth po trajtohen në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Vetëm gjatë dy javëve të fundit, dhjetë raste me fruth janë hospitalizuar në këtë klinikë.
Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj tha se ka rritje të numrit të pacientëve me fruth në Kosovë kohëve të fundit. Sipas tij, rënia e vaksinimit te moshat pediatrike ka ndikuar në paraqitjen e rasteve me këtë virus.
Vishaj në një intervistë për Kosovapress potencoi se pacientët që po marrin aktualisht trajtim në Infektive për shkak të simptomave të fruthit, janë fëmijë të moshave një deri në tre vjet e gjysmë.
“Në Klinikën Infektive deri më tani janë spitalizuar dy javët e fundit dhjetë pacientë. Por, për momentin janë në klinikën infektive i kemi gjithsej pesë pacientë. Moshat janë kryesisht të vogla, kryesisht 1 vjeçare deri në 3 e gjysmë. Kështu nuk ka qenë më parë.
Duke se kemi një rënie të vaksinimit të fëmijëve në përgjithësi, dhe kjo rënie e vaksinimit te moshat pediatrike ka çuar në rritjen e pranisë tashmë të infeksionit, që në kushte normale nuk do të duhej të ishte. Andaj unë i sugjeroj të gjithë prindërit fëmijët e tyre t’i vaksinojnë sipas kalendarit të vaksinimit sipas rekomandimit të IKSHPK-së”, tha Vishaj.
Ai bëri apel tek prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët, në mënyrë që mos të ketë rritje të vazhdueshme të rasteve me fruth.
Vishaj potencoi se më parë shkalla e vaksinimit kundër fruthit ka qenë rreth nëntëdhjetë e pesë për qind, kurse tashmë ka rënë për afër dhjetë për qind.
Sipas tij, vitin e kaluar nuk ishte situata e njëjtë sa i përket të infektuarve me fruth.
“Nuk e kemi pasur këtë situatë të cilën tashmë e kemi (vitin e kaluar). Herë pas here kemi pasur këto pesë viteve fundit, ndonjë paraqitje të formave sporadike të infeksionit me morbil ose fruth. Por, kryesisht kanë qenë grupi i popullatës të cilët nuk kanë qenë të vaksinuar. Tashmë kemi fëmijë me një shtrirje më të gjerë të infeksionit…Më përpara ka qenë shkalla e vaksinimit kundër fruthit 95 për qind, tash ka rënë në një shifër më të vogël ndoshta 85 për qind. Mos gatishmëria e prindërve e fëmijëve për të mos i vaksinuar këta pacientë ka çuar në rritjen e të infektuarve me fruth”, potencoi Vishaj.
Infektologu, Arben Vishaj tha se fruthi mund të rrezikojë edhe jetën e pacientit nëse nuk mjekohet në kohë dhe nëse i infektuari ka sëmundje të tjera shoqëruese.
Ai tregoi se simptomat e fruthit karakterizohen me ethe, temperaturë, plogështi dhe shfaqje të njollave të kuqe në pjesë të trupit dhe të fytyrës.
Vishaj potencoi se rreth 20 për qind të rasteve që infektohen me fruth mund të paraqesin forma klinike më të avancuara siç janë, ndryshimet në mushkëri, problemet me vesh e të tjera.
“Varësisht prej formës klinike që e ka, zakonisht 20 për qind të rasteve që infektohen me fruth mund të paraqesin forma klinike më të avancuara siç janë, ndryshimet në mushkëri. Pastaj problemet me vesh, ndryshime në mushkëri e me radhë. Fillimisht sëmundja e fruthit fillon me temperaturë, ethe, lodhje, plogështi. Pastaj fillojnë të paraqiten ndryshime në lëkurë të cilat janë karakteristike dhe mjekët në përgjithësi janë duke i vërejtur…
Në përgjithësi sëmundja e fruthit është tek format e pa komplikuara mund të shkojë një javë deri në 10 ditë. Pas dhjetë ditëve mund të përmirësojnë. Pa dyshim që fruthi mund të rrezikon jetën, posaçërisht tek ata fëmijë që kanë probleme shëndetësore, siç janë sëmundjet e tjera shoqëruese që janë shumë vunerabile që mund të dëmtojnë shëndetin pacientit dhe të përfundojnë me vdekje”, tregoi Vishaj.
Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi nga data 5 deri më 13 maj 2025 në Kosovë janë raportuar 9 raste të fruthit në komunat: Ferizaj, Shtime, Lipjan, Graçanicë dhe Fushë Kosovë, ku 7 nga 9 rastet kanë qenë fëmijë parashkollorë të pavaksinuar. /kp/