Rasti Batatina – Berisha tronditë futbollin e Kosovës
Një mesazh i publikuar në rrjetet sociale nga gjyqtari Fatlum Berisha ka tronditur futbollin kosovar.
Berisha, i cili ndau drejtësinë në ndeshjen ndërmjet Gjilanit dhe Llapit, e cila përfundoi me fitoren 3-2 të skuadrës gjilanase, ka bërë publik një komunikim me trajnerin e Llapit Tahir Batatina ku ky i fundit i drejtohet atij me akuza për mos ndarjen e drejtësisë në mënyrë korrekte, por duke përdorur një gjuhë aspak të pranueshme.
Aty Batatina ndër të tjera i thotë Berishës: “Sot e anulove golin e rregull, por ruju e dije se ka Zot, njëherë të ka shikuar, të shikon prapë edhe më keq”, mesazh ky që duket se prek rastin kur gjyqtarit Berisha i kishe vdekur djali pas një aksidenti në komunikacion.
Një gjuhë e tillë e papranueshme natyrisht se ngjalli reagime te fuqishme kundër Batatinës, i cili vetëm pak orë më vonë doli me një reagim në Facebook, por jo për të kërkuar falje.
“Unë nuk kam përmendur familjen dhe kjo çështje nuk ka të bëjë me familjen, por me gabime të qëllimshme që po na bëhen nga i njëjti person në dy ndeshje radhazi. Asnjëherë nuk e kam menduar se çfarë synon të arrijë duke u viktimizuar Fatlum Berisha. Megjithatë, nëse këto janë gabime të qëllimshme, i qëndroj deklaratës sime dhe besoj se çdo padrejtësi duhet të marrë ndëshkimin e merituar profesional – por asnjëherë me konotacionin e dhënë. Nuk është e drejtë të humbet mundi dhe djersa e një klubi”, ka shkruar Batatina .
E në mbrojtje të gjyqtarit Fatlum Berisha, ka dal Komisioni i Gjyqtarëve duke e dënuar ashpër gjuhën e kryetrajnerit të Llapit.
“Komisioni i Gjyqtarëve shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë lidhur me përmbajtjen e mesazheve që trajneri i Llapit, Tahir Batatina, i ka bërë ndaj gjyqtarit tonë, Fatlum Berisha.
Pavarësisht të drejtës për të shprehur pakënaqësi apo kritika ndaj vendimeve në fushën e lojës, gjuha e përdorur në këtë rast është e papranueshme dhe i tejkalon normat etike, profesionale dhe njerëzore. Veçanërisht shqetësues është referimi që trajneri i lartpërmendur ka bërë në çështje tejet të ndjeshme personale dhe familjare, gjë që tejkalon çdo kufi të komunikimit”, thuhet në reagimin e tyre.



