Rasti i 53 milionëve, Lekaj dhe të tjerët dalin para gjykatës më 20 prill

04 prill 2022 | 11:34

Më 20 prill pritet të nis gjykimi ndaj Pal Lekajt, ish-ministër i Infrastrukturës, Eset Berishës, këshilltar i lartë politik i tij, si dhe Nebih Shatrit, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.

Ata akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se me rastin e zbatimit të projektit “Autostrada Prishtinë – Han i Elezit R6”, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, me ç’rast buxhetit të Republikës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro, raportoi “Betimi për Drejtësi“ të hënën.

Në fakt, ky njihet si “Rasti i 53 milionëve”.

Lajmin për caktimin e seancës e ka konfirmuar gjykatësja e rastit, Violeta Namani.

Prokuroria Speciale, më 4 shkurt 2021, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit, derisa më 19 shkurt, kjo prokurori njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

“Më 27 shtator 2017, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Infrastrukturës (MI) dhe si kryesues i Komitetit Ndërministror (KDNM) dhe Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje, edhe me të pandehurin Besim Tahiri – drejtor i Prokurimit Publik në MI, i cili tani për tani është i paqasshëm për prokurorinë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në dobi të personit tjetër”, thuhet në aktakuzën e ngritur më 4 shkurt 2022.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qindra njerëz janë civilë janë vrarë në qytetin Bucha afër…