
Rasti i Agon Zejnullahut: Gjykata vendos për rikthimin e 5 policëve në paraburgim
Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan, ka vendosur t’i kthejë në paraburgim pesë zyrtarët policorë që dyshohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.
Rasti ishte në rigjykim nga 21 korriku, me kërkesë të mbrojtësve të tyre.
Në aktvendimin e fundit të Gjykatës Themelore është thënë se të dyshuarve u caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji dhe se ajo do të llogaritet prej datës së ndalimit të tyre, më 7 korrik 2025, deri më 6 gusht 2025.
Aty, po ashtu është thënë se “pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit dhe pas vlerësimit të kundërshtimeve dhe argumenteve të të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre”, ka “arsye të mjaftueshme që të pandehurve t’iu caktohet masa e paraburgimit”.
Zejnullahu ka vdekur në orët e para të 7 korrikut, pasi është arrestuar nga policia në Lipjan.
Vdekjen e tij në vendngjarje e ka konstatuar edhe ekipi mjekësor.
Policia ka thënë se i ndjeri dyshohet se ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur është ndaluar nga autoritetet e rendit.
Por, sipas familjarëve dhe avokatit të tyre mbrojtës, policia ka përdorur forcë të tepruar kundër tij.
Ngjashëm kanë thënë edhe disa përfaqësues të shoqërisë civile, pasi kanë parë disa pamje që kanë qarkulluar në internet.
Komandanti i Policisë për rajonin e Lipjanit, Argjend Gashi, ka dhënë dorëheqje pas vdekjes së Zejnullahut.