Rasti i Astrit Deharit, Ministria e Drejtësisë pezullon kryeinspektorin, Ylber Topalli
Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se mbi bazën e gjetjeve në raportin e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, sot Komisioni Disiplinor ka marrë vendim për pezullimin nga puna të Kryeinspektorit të Inspektoratit, Ylber Topalli.
Topalli është pezulluar nga puna për pretendimet e shkeljeve të rënda procedurale që janë të ndërlidhura me rastin e Astrit Deharit.
“Procedura disiplinore ndaj z. Topalli është iniciuar për pretendimet e shkeljeve të rënda procedurale që janë të ndërlidhura me rastin e ngjarjes së Astrit Dehari, që kishte ndërruar jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016”.
“Me këtë rast, pas konstatimit të gjetjeve të Raportit të cilat i kemi proceduar edhe në Prokurori të Shtetit, bëjmë thirrje dhe theksojmë nevojën e vazhdimit të procedurave hetimore për trajtimin e mëtutjeshëm të të gjitha rrethanave deri në zbardhjen përfundimtare të këtij rasti”, ka njoftuar Ministria e Drejtësisë.



