Rasti i liderëve të UÇK-së, Trompi flet për dëshmitë e nivelit të lartë dhe skenarët e vendimit

25 janar 2026 | 14:07

Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Nevenka Tromp, ka vlerësuar se dëshmitë e dëshmitarëve të nivelit të lartë të thirrur nga mbrojtja në procesin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Dhomat e Specializuara në Hagë, kanë pasur një qëllim të qartë: të dëshmojnë mungesën e qëllimit kriminal të të akuzuarve.

Gjyqi i madh drejt fundit, Nevenka Tromp tregon se çfarë pritet për katërshen e UÇK-së

Sipas Trompit, zgjedhja e emrave me peshë diplomatike e ushtarake nuk ishte rastësi, por pjesë e një strategjie të mirëllogaritur të mbrojtjes për të goditur elementin kyç të aktakuzës – “mens rea”, pra qëllimin kriminal.

Dëshmitari i parë ishte James Rubin, ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit. Pas tij ka dëshmuar ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Ëilliams. Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka dëshmuar edhe ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Steëart Duncan. Më pas, James Peter Covey, i cili ishte zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Në mbrojtje të Thaçit dëshmoi edhe ish-diplomati amerikan. Christopher Hill dhe Michael Durkee në cilësinë e ish-këshilltarit politik të Wesley Clark.

Një nga dëshmitë më kryesore ka qenë edhe ajo e gjeneralit Wesley Clark.

Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Nevenka Tromp për “Kosovapress”, ka folur për rëndësinë e këtyre dëshmive në këtë proces gjyqësor.

Ndër tjera, Trompi ka folur për pritjet nga vendimi që pritet të shqiptohet, ani pse pohon se është vështirë të dihet.

Derisa ka folur për rëndësinë e fundit të këtij gjyqi të madh, Trompi ka përmendur edhe Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ajo ka thënë se TPNJ nuk ka konstatuar asnjëherë se “shqiptarët kishin themeluar ndërmarrje të përbashkët kriminale me qëllim që të dëmtojnë serbët”.

Më tutje, ajo ka folur edhe për pasojat e mëdha që do të kishte shteti dhe historia e pastër e luftës çlirimtare nëse Gjykata Speciale do të mbështeste akuzën e prokurorisë se katërshja e UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Gjatë vitit të kaluar në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg e Shkup, me mijëra shqiptarë protestuan me thirrje “Drejtësi për Çlirimtarët”. Një tjetër protestë do të organizohet më 17 shkurt në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Me moton “Drejtësi, jo politikë” do të protestohet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në përvjetorin e 18-të të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Kjo protestë kësaj radhe organizohet nga organizata “Liria ka emër”, e cila pret që të ketë pjesëmarrje masive.

Liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar e cila i ngarkon ish-krerët e UÇK-së me përgjegjësi për krime të pretenduara të luftës, pati sjell rreth 125 dëshmitarë, ndërkaq është mbështetur në mbi 100 dëshmi me shkrim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xabi Alonso po merr kohë për t’u rikuperuar pas një…