
Rasti i Listës Serbe, Ambasada e ShBA-së: Besojmë se certifikimi do të përfundojë në mënyrë të lirë, pa u politizuar
Ambasada amerikane në Kosovë ka komentuar vendimin e KQZ-së për të moscertifikuar Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të gjithë qytetarëve në procesin demokratik.
Këtë, sipas ambasadës e ka bërë edhe dje e Ngarkuara me Punë e ShBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, e cila ka informuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për qëndrimin e qartë të Shteteve të Bashkuara lidhur me certifikimin e kandidatëve.
“E Ngarkuara me Punë Prattipati e bëri të qartë qëndrimin e SHBA-së për certifikimin e zgjedhjeve pas takimit të saj me Kryeministrin në Përgjegjësi Kurti dje: të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që serbët e Kosovës të përfshihen në këtë proces”, është thënë në deklaratën e Ambasadës së ShBA-së për “Klan Kosovën”.
Ambasada gjithashtu ka theksuar besimin e saj në institucionet e Kosovës dhe në kapacitetin e mekanizmave vendorë për të garantuar një proces certifikimi që është i lirë nga ndikimi politik.
“Ne vazhdojmë të besojmë në institucionet e Kosovës dhe mekanizmat në vend për të siguruar që procesi i certifikimit të kandidatëve të përfundojë në një mënyrë të lirë nga politizimi. Komentet nga udhëheqësit politikë që e politizojnë më tej këtë proces janë të padobishme dhe dëmtojnë integritetin e procesit zgjedhor të Kosovës”, është thënë në këtë deklaratë.