Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka komentuar skandalin që lidhet me menaxhimin e rezervave shtetërore, në të cilin është përfshirë ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari – rast për të cilin Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj Hajdarit.
Duke folur në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Miftaraj tha se ky skandal do të shërbejë si një shembull i qartë për mënyrën se si institucionet publike mund të dështojnë kur anashkalojnë procedurat ligjore dhe rekomandimet profesionale.
Sipas tij, është e papranueshme që një ministre të veprojë në kundërshtim me ligjin dhe të injorojë një numër të madh këshillash dhe paralajmërimesh nga zyra ligjore dhe nga ekspertët e MINT-it.
“Tash si jurist, për mua ka qenë e paimagjinueshme për një ministre si Rozeta Hajdari me shkelë ligjin aq lehtë, me i injoru shtatë apo tetë këshilla prej zyrës ligjore të MINT-it, prej ekspertëve të MINT-it, prej njerëzve që e kanë bërë punën për vite e vite dhe me procedu vendimin për rezervën shtetërore”, deklaroi Miftaraj në Klan Kosova.