Rasti ‘Syri i Popullit’/ Bardhyl Mahmuti: Paradoksi i një procesi të kurdisur gjyqësor!
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të mërkurën fajtorë të akuzuarit në rastin e njohuri si “Syri i Popullit”.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar politologu Bardhyl Mahmuti, i cili ka thënë se ky është një paradoks i një procesi të kurdisur gjyqësor.
“Të dënohet Murat Jashari me 10 vjet trajtim të detyrueshëm psikiatrik dhe, në të njëjtën kohë, të merren për bazë deklaratat e tij për ekzistencën e “Syrit të popullit” nuk është asgjë tjetër pos verbim i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe dëshmi e një procesi të kurdisur gjyqësor. Vërtet drejtësia kosovare ka nevojë të shërohet!”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” Bardhyl Mahmuti.
Të akuzuarit në rastin e njohuri si “Syri i Popullit” janë shpallur fajtorë për përgatitje të veprave terroriste.
Sipas Gjykatës të akuzuarit planifikimin vrasjen e shumë zyrtarëve të lartë në Kosovë, duke përfshirë presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli.
Sadri Ramabaja, është dënuar me 5 vite burgim, Avni Llumnica, me dënim unik prej 12 vjetësh burgim, Ragip Sallova me 4 vjet burgim, Behxhet Luzha me 2 vjet burgim, Halim Halimi me 3 vjet burgim, Bajrush Konjusha me 3 vjet burgim ndërsa i akuzuari tjetër, Rexhep Topllana me 2 vjet burgim. Të dënuarve gjykata ua ka njohur kohën sa kanë qëndruar në paraburgim.
Ndërsa, për Murat Jasharin i cili kreu tentim-vrasje ndaj avokatit Azem Vllasi, Gjykata vendosi që ta dërgojë atë në 10 vjet ndalesë në institucione shëndetësore për shkak të gjendjes së tij psikike.



