
Rasti ‘Z-Moblile’, Apeli e konsideron të ligjshëm përmbarimin e 25 milionë eurove nga Telekomi
Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore Prishtinë, dhe ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit e borxhit milionësh nga Telekomi i Kosovës.
Aktvendimi thotë se refuzohet si e pathemeltë ankesa e të autorizuarit të debitorit Telekomi i Kosovës, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 06.07.2020, vërtetohet.
“Nga shkresat e lëndës rrjedh se kreditori nëpërmjet të autorizuarit të tij, ka paraqitur propozim për përmbarim ndaj debitorit në bazë të dokumentet përmbarues-Vendimit përfundimtar të Arbitrazhit, i njohur dhe i shpallur i ekzekutueshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë”, është thënë në aktvendimin e Apelit të nxjerrë më 22 tetor, të cilin e ka siguruar “Insajderi”.
Më tutje, në aktvendim është thënë se “përmbaruesi ka lejuar përmbarimin me urdhrin të datës 15.07.2019, ndaj të cili urdhër i autorizuari i debitorit ka paraqitur prapësim me datë 18.07.2019, ndërsa i autorizuari i kreditorit ka paraqitur përgjigje në prapësim më 24.07.2019”.
Duke parë këto prova Apeli e ka konsideruar të ligjshëm përmbarimin e 25 milionë eurove nga Telekomi.