RCC-ja është e angazhuar tërësisht për bashkëpunimin rajonal

25 dhjetor 2019 | 18:01

Ditët e fundit ka pasur shumë paqartësi dhe mungesë informacioni të saktë për rolin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) në takimet e të ashtuquajturës iniciativa minishengen.

Ashtu si Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane e Investimeve, edhe Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal u ftua në këto takime për t’i dëgjuar propozimet e udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor.

RCC-ja përmes një deklarate për media ka theksuar se është tërësisht e angazhuar ndaj bashkëpunimit rajonal.

“Me krenari ne bashkërendojmë dhe vëmë në zbatim planin shumëvjeçar të veprimit për krijimin e Zonës Rajonale Ekonomike në Ballkan, siç na është kërkuar dhe miratuar si detyrë nga të gjashtë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor tri vjet më parë në Samitin e Procesit të Berlinit në Triestë. Të gjashta ekonomitë e rajonit, Bosnja-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria, janë pjesë e këtij procesi në bazë të kërkesës së parashtruar nga të gjashtë udhëheqësit e sipërpërmendur, si një projekt me anën e të cilit do të çohet përpara bashkëpunimi ekonomik në zonën e Ballkanit Perëndimor, duke eliminuar barrierat sociale me lëvizjen e të rinjve, të profesionistëve, të aftësive dhe të novacionit në rajon”, është thënë në deklaratën e RCC-së.

Për RCC-në bashkëpunimi rajonal është një histori gjithnjë e në zhvillim. “Bashkëpunimi rajonal merr kuptim atëherë kur objektivi përfundimtar është integrimi në BE. Meqenëse zgjerimi ka të bëjë me lidhjen e tregjeve dhe njerëzve me njëri-tjetrin, ne besojmë se çdo iniciativë që çon në heqjen e përfundimtare të barrierave brenda rajonit tonë, është tërësisht e domosdoshme dhe, si e tillë, duhet të merret patjetër në konsideratë. Për këtë arsye, ne jemi gjithnjë të vëmendshëm, duke i mbajtur sytë dhe veshët hapur, për çdo propozim që mund të vijë nga secila prej ekonomive të rajonit. Dhe këtë do të vazhdojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen”, është theksuar në deklaratën e RCC-së.

Republika e Kosovës nuk mori pjesë në samitin e minishengenit ballkanik që u mbajt së fundi në Tiranë.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK) ka theksuar se minishengeni ballkanik nuk është i mundur në një asimetri të këtillë politike në Ballkan, me dominim të theksuar të Serbisë, duke qenë se ajo nuk njeh Kosovën dhe që çdo ditë minon dhe shantazhon përparimin e saj, synon ndarjen dhe copëtimin e saj, mohon krimet dhe nuk respekton marrëveshjet e arritura dhe që është e angazhuar gjerësisht në pengimin e integrimeve të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në largim i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka…