Reagim i KMDLNj-së: Gjykata Raciste Speciale dhe racistja Trandafilova!

14 maj 2025 | 16:00

Reagim nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj)

Ekaterina Trandafilova, ish-gjykatëse komuniste e Bullgarisë së Todor Zhivkov, e rifitoi mandatin e dytë si kryetare e Gjykatës Raciste Speciale në Hagë. Ajo njihet si shkelëse e rëndë e të drejtave të njeriut të pengjeve që po mbahen, disa si të dënuar e të tjerët duke u gjykuar në Hagë, të gjithë shtetas të Kosovës dhe të gjithë shqiptarë. Të ashtuquajturat Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë instrumente qartësisht politike që nuk kanë për qëllim sigurimin e drejtësisë për viktima dhe përgjegjësisë për ata që mund të kenë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit por kanë për qëllim rishikimin e historisë përmes baraspeshimit të përgjegjësisë midis palëve ndërluftuese, ridizajnim e skenës politike në Kosovë dhe imponimin e një marrëveshjeje politike përmes kësaj gjykate, skajmërisht të instrumentalizuar, të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me standardet minimale juridike dhe të drejtat e njeriut. Kjo gjykatë asnjëherë nuk ka siguruar kushte për një gjykim korrekt, të drejtë dhe të pandikuar duke garantuar barazi të palëve në procedurë. Në deklarata publike thuhet se është gjykatë e Kosovës ndërkaq realisht me asgjë nuk identifikohet me Kosovën dhe kurrë dhe asnjëherë nuk ka qenë dhe as është gjykatë e Kosovës. Është gjykatë e themeluar nën një presion terrorizues ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës, me shantazhe dhe mashtrime. Arrestimet e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit janë bërë në kundërshtim me ligjin dhe për qëllime të qarta politike pas raportit kriminal të Dik Martit dhe rusit Konstatin Kosatchev, BIA-së serbe dhe disa politikanëve kosovarë. Nuk ka të arrestuar, që nga Procesi i Nyrembergut e deri më sot që iu janë shkelë të drejtat e njeriut se pengjeve kosovare në Hagë, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës. Ky instrument juridik, i bastarduar në mekanizëm të drejtësisë ka qenë dhe është krejtësisht jotransparente sepse në një terr informativ krimet mbesin të pazbuluara. Vizitat ciklike të racistes Trandafilova në Kosovë i ngjajnë kthimit të kriminelit në vendin e krimit. Ajo ka realizuar vizita në terr me politikanët kosovarë që llogariten miq dhe bashkëpunëtorë të Gjykatës dhe krijues të opinionit për arrestim të luftëtarëve të lirisë dhe dënim të tyre. Ekaterina Trandafilova ka shkelur rëndë, disa herë parimin e prezumimit të pafajësisë duke deklaruar se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi mund të dënohen me burgim të përjetshëm. Vizitat “informuese” të kryetares raciste Ekaterina Trandafilova janë si qyqet e natës, në terr. Me të drejtë janë organizuar protesta kundër këtyre vizitave por se intensiteti i kundërshtimit ishte shumë i butë nëse kemi parasysh natyrën dhe qëllimin dashakeq dhe kriminal të vizitave. Vizita e fundit u realizua sipas skenarit racist, u pengua vetëm konferenca për shtyp e që u përdorë si argument kinse po pengohet puna e kësaj gjykate që e tha edhe një ambasador që nuk lë vend pa i futur hundët në ndërkohë që në asnjë rast të vetëm nuk ka reaguar për shkelje flagrante të drejtave të njeriut që iu bëhen pengjeve të Hagës. Protesta nuk është dashur të zhvillohet para hotelit ku kjo gjykatëse e stërkequr profesionalisht ka planifikuar konferencën për shtyp por në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” duke mos e lejuar fare të dalë nga aeroporti. Ekaterina Trandafilova ka ardhur në Kosovë për të siguruar përkrahjen politike të ndërkombëtarëve për dënim të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit në ndërkohë që përkrahjen e pushtetit vendor e kanë blanko. Deri më tani asnjë i akuzuar dhe i gjykuar para kësaj Gjykate Raciste nuk është liruar që e bënë një diferencë të qartë nga puna e Tribunalit për Krime Lufte për ish-Jugosllavinë që ka qenë edhe më profesional dhe më i drejtë në marrje të vendimeve duke mos bërë fare dallime në baza etnike. Puna e Gjykatës Raciste Speciale në Hagë mbështetet ekskluzivisht në baza etnike e jo në përgjegjësi të dëshmuara me prova materiale. Prandaj edhe është puro raciste. KMDLNj, që nga themelimi ka reaguar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut ndaj pengjeve të Hagës duke kërkuar gjykim të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar politikisht duke kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të këmbëngulin që të respektohen këto të drejta por që deputetët, një pjesë e madhe e tyre as që kanë treguar gatishmëri apo vullnet për këtë! KMDLNj përgënjeshtron qartazi pohimin se kjo gjykatë është e Kosovës, kjo gjykatë është kundër Kosovës. Më shumë mund të konsiderohet se është pjesë e sistemit të drejtësisë të Serbisë, nëse kemi parasysh administrimin e provave dhe vendimin që e kanë marrë deri më sot. Institucionet e Kosovës që do të themelohen tash ose më vonë duhet qartazi dhe fuqishëm të distancohen nga kjo gjykatë që nuk siguron drejtësi për të gjitha viktimat pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, gjinore dhe bindjeve politike sikur edhe përgjegjësi penale për të gjithë ata që planifikuar, përgatiten, i bënë apo nuk i penguan këto krime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar pas deklaratës së…