Reagim i KMDLNj-së: Pse kaq shumë reduktime me rrymë?!

06 tetor 2025 | 12:50

Kohëve të fundit janë shpeshtuar reduktimet e furnizimit me rrymë që zgjasin nga 10 deri në 13 orë. Reduktimet paralajmërohen në media ndonëse ka raste edhe kur nuk paralajmërohen. Arsyetimet janë kryesisht për shkak të prishjeve apo ndërhyrjes në rrjet por se është bërë thuaja rregull që reduktimet janë një herë në javë dhe kohëzgjatja është e njëjtë. KMDLNj-së i janë drejtuar qytetarë për të dëshmuar se gjatë këtyre reduktimeve të gjata po i dëmtohen pajisjet shtëpiake dhe të punës dhe se nga KESCO nuk hasin në mirëkuptim për kompensim të dëmeve sikur që ekipet intervenuese nuk dalin për të verifikuar dëmin material. Qytetarët i paguajnë me rregull faturat e energjisë elektrike prandaj kërkojnë furnizim të rregullt me rrymë. Për dëmet në pajisje shtëpiake dhe mjete të punës qytetarët bëjnë përgjegjës operatorin për furnizim me rrymë shkaku i reduktimeve të gjata dhe furnizimit me rrymë të intensitetit më të ulët. Qytetarët dyshojnë se reduktimet e shpeshta dhe të gjata me rrymë nuk bëhen ekskluzivisht për shkak të prishjeve por shkaku se rryma i shitet vendeve tjera.
KMDLNj rekomandon qytetarët që të padisin KESCO-n për dëmet duke kërkuar kompensimin e atyre dëmeve.
Qytetarët janë paralajmëruar se në muajin dhjetor mund të ketë rishikim të çmimit të energjisë elektrike e që do të prekë shumë buxhetin familjar të shtresave më të rrezikuara si pensionistët, kategoritë e dala nga lufta , personat me të ardhura më të vogla sikur edhe shumicën e bizneseve. Rishikimi përkatësisht rritja e çmimit të energjisë elektrike në mënyrë zinxhirore do të rrisë çmimet e artikujve të domosdoshëm për mbijetesë sikur edhe të gjitha shërbimeve.
KMDLNj fton qytetarët që në mënyrë të vendosur të kundërshtojnë rritjen e çmimeve të energjisë elektrike duke përdorur të gjitha mjetet e lejuara.
Kosova është në bllokadë institucionale dhe qytetarët po e paguajnë çmimin e papërgjegjësisë. Rritja e pagave janë në shpërputhje me shkallën e inflacionit, pensionet kanë vendnumëruar duke i vrarë për së gjalli pensionistët, kategoritë sociale janë varfëruar skajshëm, veteranët dhe invalidët e luftës po bëjnë vetëvrasje për shkak të kushteve të rënduara ekonomike.
Prandaj, KMDLNj kërkon përgjegjshmëri nga përfaqësuesit e institucioneve që të sillen dhe veprojnë në përputhje me situatën duke themeluar institucionet në mënyrë që të krijohen kushte për tejkalim të situatës së rënduar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka mbajtur të…