
Reagim i PDK-së-Lipjan/ Gënjeshtrat dhe mashtrimet e Kryetarit në ikje nuk kanë të ndalur!
Opinionit publik po i shitet një e pavërtetë kinse kuvendarët e PDK-së nuk kanë votuar pro shtatores së Komandantit Adem Jashari në Lipjan.
E vërteta është krejt tjetër: Kryetari në ikje, duke manipuluar me disa asambleistë, e kontrabandoi këtë pikë të rendit të ditës duke e futur brenda buxhetit, pa asnjë njoftim dhe pa asnjë konsultim paraprak me grupet parlamentare.
Si qëndron e vërteta?
Koalicioni LDK–AAK kishte rënë, dhe shumica e re parlamentare ishte krijuar nga PDK me mbështetjen e AAK-së. Ne si shumicë iniciojmë shkarkimin e Kryesueses së Kuvendit dhe e zhvilluam procesin sipas rregullores dhe LVL-së. Mirëpo, Kryesuesja e atëhershme, me mbështetjen e Ministrisë nga LDK, bllokoi punën e Kuvendit në mënyrë arbitrare dhe të kundërligjshme.
LDK dhe Kryetari në ikje, përmes pazareve të fshehta me dy asambleistë të AAK-së, organizuan një seancë të improvizuar që zgjati vetëm 10 minuta, rekord për Kuvendin, ku u procedua vetëm me votim dhe u aprovua buxheti bashkë me investimet kapitale, mes tyre edhe projekti për shtatoren e Adem Jasharit, pa asnjë njoftim dhe konsultim paraprak.
Ne nuk ishim pjesë e asaj seance, sepse kishim thirrur mbledhjen e jashtëzakonshme ligjore që u sabotua nga Kryesuesja e Kuvendit dhe LDK.
Prandaj, nuk kishim si të votonim për një pikë të futur fshehtas dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Partia Demokratike e Kosovës do të iniciojë padi për shpifje, sepse çdo pretendim se PDK ka votuar kundër shtatores së Komandantit Adem Jashari është një gënjeshtër e pastër, një manipulim i ulët dhe fyerje ndaj sakrificës sonë kombëtare.