Reagim ndaj Kadri Kryeziut / Kur gënjeshtra shitet për “heroizëm”!

30 shtator 2025 | 20:04

Bardhyl Mahmuti 

Më 7 shtator 2025, në profilin e tij të Facebook-ut, Kadri Kryeziu postoi një shkrim të “vogël”, për të përhapur një gënjeshtër të madhe: pretendon se paska qenë i pari që më 11 mars 1981 ka “bërtitur” “Republikë, kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”. Madje, për të na bindur në vërtetësinë e këtij pohimi, ai thekson se “nuk ka bërë hajgare”
Vërtet këto gjëra nuk janë për “hajgare¨”! Të gjithë pjesëmarrësit aktivë të protestës së 11 marsit e dinë farë mirë se kërkesat kanë qenë të kufizuara kryesisht në përmirësimin e kushteve ekonomike. Kërkesat politike u artikuluan në demonstratat që vijuan nga data 26 mars 1981.
Prandaj Kadri Kryeziu nuk ka mundur të jetë i pari që ka “bërtitur” këtë slogan! Madje duke e njohur nga qëndrimi i tij në burgjet jugosllave, jam i bindur se as i fundit nuk ka “bërtitur” një kërkesa të tillë.
Në periudhën 1981-1990, Kadri Kryeziu ka qenë i pari për disa gjëra të tjera:
– ndërkohë që shumica absolute e të burgosurve politikë kishin te drejtë në vizita familjarë të kontrolluara brenda burgut vetëm 30 minuta në muaj (6 orë në vjet), në Burgun e Qarkut në Shabac të Serbisë, Kadri Kryeziu kishte të drejtë vizite të lirë në qytet, 12 orë në muaj;
– përderisa një numër i të burgosurve politikë që nuk kishin lidhur kurorë pas martesës, nuk ua lejuan bashkëshortet të vinin t’i vizionin në sallat e mbikëqyrura nga gardianë dhe përkthyes, Kadri Kryeziu ishte i burgosuri i parë politik që e lëshuan nga burgu i Shabacit, të vijë në Prizren dhe të martohet!
– Në kohën kur dikush përpiqej të lexonte në “bibliotekën” e burgut, Kadri Kryeziu u shqua si më i shpejti në qëndisjen e “goblenëve” për t’ua shtuar çejzit të grave të gardianëve;
– përderisa në tetor të vitit 1987, të burgosurit politikë shqiptarë bënë letër proteste për vdekjen misterioze të Ibrahim Kastratit në qelinë e Pavijonit famëkeq nr 7, për të cilin drejtoria e burgut deklaroi se gjoja kishte bërë vetëvrasje, Kadri Kryeziu ishte i pari që nuk nënshkroi letrën e protestë.
Mund të vazhdoj ende, por do të kishte qenë mirë që “hajgarexhiu” Kadri Kryeziu të mos tallet me gjëra serioze. Madje atij më së paku i takon ta akuzojë Ali Ahmetin se gjoja i paska humbur busulla, sepse paska përdorur “lepujt” dhe “zagarët” si metafora.
I dimë fare mirë se kush ka pasur “zemër lepuri” e kush “hundë zagari”. Ali Ahmeti, me të gjitha gabimet eventuale gjatë rrugëtimit të tij gjysmëshekullor në luftë për kauzën kombëtare, mbetet një shqiponjë që fluturon lartë, ku nuk mund të mbërrijnë asnjëherë ata që në burg qëndisnin goblenë për gratë e gardianëve!

30 shtator 2025

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha  Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka…