Reagim nga KMDLNj: Faturat kriminale të rrymës për muajin dhjetor
Shumë qytetarë e kanë informuar KMDLNj-në se në muajin dhjetor faturat e energjisë elektrike janë mbi 70 për qind më të larta se në muajin paraprak. Është e pabesueshme dhe e pakuptueshme një rritje aq e lartë kur temperaturat nuk dallojnë shumë në këta dy muaj andaj qytetarët nuk kanë pasur nevojë për shpenzime shtesë të energjisë elektrike.
Ndërmarrja e strukturuar kriminale e quajtur ZRrE që nga themelimi i saj ka punuar në dëm të qytetarëve, paguesve të rregullt të energjisë elektrike duke ua vjedhur paratë për të mbuluar pagesën e faturave për serbët gjë që duket po e bënë edhe sot ndryshe si të arsyetohet çmimi aq i lartë për rrymë në muajin dhjetor. Ndonëse e kemi një vendim të gjykatës ku qartazi thuhet se ndërmarrja e strukturuar kriminale ZRrE në kundërshtim me ligjin fryrë faturat duke diskriminuar qytetarët në baza etnike dhe politike, qytetarët shqiptarë dhe joserbë asnjëherë nuk janë kompensuar për dëmet që u janë bërë.
Qeveria e Kosovës duke përkrahur këtë ndërmarrje të strukturuar kriminale po identifikohet si bashkëpjesëmarrëse në krim dhe varfërim të skajshëm të qytetarëve. Blerja e rrymës me çmime të larta kryesisht nga serbët dhe grekët , dyshimi për korrupsion për ambasadorin Martin Berishaj dhe ministren kujdestare Artane Rizvanolli qartazi ndikon në çmimet e energjisë elektrike. Licencimi i operatorëve për tregti me rrymë të personave të afërt me KM kujdestar nxitë dyshime të bazuara për një korrupsion institucional të planifikuar mirë për të fituar kundërligjshëm, në dëm të qytetarit dhe shtetit. Dhënia e monopolit të tenderëve për shitblerje të rrymës në Kosovë një personi me emrin Vuk Hamoviq, serb i Serbisë, i biri i kryeshefit të ushtrisë serbe në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit tregon se sa seriozisht po rrezikohet siguria në Kosovë.
KMDLNj thërret Prokurorinë e Kosovës të hetojë punën e ZRrE-së që nga fillimi i punës, dhënien e licencës monopolizuese Vuk Hamoviqit, oligarkut serb, dhënien e licencave për tregti me energji elektrike në baza nepotiste dhe politike, vendosja në vende kyçe të njerëzve të KM, largimet nga puna shkaku i papërshtatshmërisë politike.
Të hetojë të gjitha kontratat për shitblerje të energjisë elektrike KMDLNj fton qytetarët që të mbrojnë të drejtat e tyre ekonomike dhe sociale, të kundërshtojnë plaçkitjen përmes faturave jonormale të energjisë elektrike duke protestuar dhe duke pamundësuar punën e atyre që e planifikojnë vjedhjen, e kryejnë vjedhjen apo nuk e pengojnë këtë.
Shfrytëzoni përvojat e vendeve shumë më të pasura dhe më të zhvilluara se Kosova. Reagimi i tyre do të ishte i menjëhershëm dhe të gjithë keqbërësit do të largoheshin nga puna apo do të përfundonin në burg. Mungesa e një reagimi të fuqishëm qytetar po inkurajon ZRrE – në dhe keqbërësit qeveritarë që brutalisht ta dhunojnë buxhetin e familjeve kosovare duke i shtyrë në një varfëri dhe mjerim të skajshëm.
Ndërmarrja e strukturuar kriminale ZRrE ka paralajmëruar se në muajin mars 2026 do të shqyrtojë kërkesën e operatorëve për rritje të çmimit të rrymës që nënkupton përkeqësim edhe më të madh të gjendjes ekonomike për pjesën dërrmuese të familjeve kosovare. Rritja e çmimit të energjisë elektrike pashmangshëm provokon rritjen e çmimeve të të gjithë artikujve dhe shërbimeve andaj qytetarët duhet ta kundërshtojnë pavarësisht se cila qeveri ka pushtetin.



