
Reagim për çmimet e larta në turizmin shqiptar gjatë muajve korrik–gusht 2025
Reagim nga Ruzhdi Kurtishaj
Para rreth tre-katër javësh kam reaguar publikisht në disa media në Kosovë lidhur me dukurinë shqetësuese të ngritjes së çmimeve gjatë muajit korrik në resortet dhe hotelet shqiptare. Rritja e menjëhershme dhe e pakoordinuar e çmimeve jo vetëm që po e dëmton përvojën e pushuesve, por rrezikon seriozisht të ndikojë negativisht në zhvillimin afatgjatë të turizmit në Shqipëri.
Ky shqetësim tashmë ka kaluar kufijtë dhe është bërë temë diskutimi edhe në media ndërkombëtare, përfshirë gazetarë dhe media italiane që kanë raportuar për çmimet e papërballueshme në Shqipëri.
Sot, edhe figura të njohura të opinionit publik dhe industrisë së turizmit shqiptar, si Blendi Fevziu dhe shumë promotorë të sektorit, po ngritin zërin për këtë situatë. Të gjithë janë të vetëdijshëm se kjo është një rrugë që mund të çojë drejt shkatërrimit të turizmit shqipfolës.
Është thelbësore të kuptohet se shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut nuk janë turistë sezonalë. ata janë të pranishëm në Shqipëri përgjatë gjithë vitit 12 muaj te vitit dhe kontribuojnë në mënyrë të qëndrueshme në ekonominë vendase si në hoteleri, gastronomi, transport dhe sektorë të tjerë.
Nëse kjo kategori e rëndësishme e vizitorëve apo pushuesve ndjehet e përjashtuar apo e zhgënjyer për shkak të çmimeve të tepruara, pasojat nuk do të ndihen vetëm këtë verë , do të jenë afatgjata dhe të rënda për industrinë turistike shqiptare.
Turizmi nuk mund të ndërtohet mbi abuzime dhe fitime të shpejta.
Turizmi kërkon planifikim, përgjegjësi dhe ndërtim të një marrëdhënieje të ndershme me vizitorët e turist. Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik, por ai nuk duhet të rrezikohet për shkak të mungesës së kontrollit dhe lakmisë sezonale te disa individeve apo subjekteve hoteliere.
Nëse vazhdohet me këtë trend, atëherë shqiptarëve të Kosovës do t’u mbetet të pushojnë në Shqipëri vetëm gjatë muajve mars–qershor dhe shtator – tetor, periudha jashtë sezonit të lartë – sepse korriku dhe gushti po bëhen të papërballueshëm.