
Reagime të ashpra nga akterët politikë pas vrasjeve në Gjilan
Numri i viktimave nga të shtënat me armë zjarri në Gjilan ka arritur në tre, ndërsa ka edhe të plagosur. Ngjarja ndodhi të dielën në rrugën “Ibrahim Rugova”, ku Policia e Kosovës fillimisht konfirmoi vdekjen e dy personave në vendin e ngjarjes dhe plagosjen e dy të tjerëve, të cilët morën trajtim mjekësor në qendrën emergjente të qytetit.
I dyshuar për vrasjet është Mefail Shkodra, të cilin policia e ka shpallur në kërkim dhe ka publikuar fotografinë e tij me autorizim të Prokurorisë, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Ngjarja ka tronditur qytetin dhe ka nxitur reagime nga krerët lokalë e politikë.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e ka quajtur akt të dhunshëm e të papranueshëm këtë ngjarje dhe ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave, duke theksuar nevojën për bashkëpunim të ngushtë me organet e rendit që autori të vihet para drejtësisë.
“Ky akt i dhunshëm dhe i papranueshëm është një plagë e rëndë për komunitetin tonë. Ju siguroj se do të bashkëpunojmë ngushtë me organet e rendit dhe drejtësisë, që autori i këtij krimi të sillet para drejtësisë sa më shpejt. Gjilani është qytet i paqes dhe bashkëjetesës, dhe ne nuk do të lejojmë që dhuna të marrë vend në jetën tonë të përditshme. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të qëndrojmë të bashkuar si komunitet”, ka shkruar Hyseni.
Kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka paralajmëruar se brenda dy ditësh qyteti është përballur me dy ngjarje të rënda – dhunën grupore ndaj një të miture dhe vrasjen e trefishtë të sotme – duke e cilësuar këtë si alarm për të gjithë dhe duke kërkuar zbardhjen e plotë të rasteve.
Është e dhimbshme që prej epitetit qytet i paqes e i respektit dhe qytetit pa asnjë vrasje, në vitet e fundit Gjilani është shndërruar në qytet të dhimbjes së madhe e kronikës së zezë. Kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme”, ka shkruar Haziri.
Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka quajtur ngjarjen një tjetër alarm për pasigurinë dhe rritjen e kriminalitetit në Kosovë, duke kërkuar nga institucionet veprim të shpejtë për rikthimin e sigurisë dhe besimit të qytetarëve.
“Ngjarja tragjike e sotme në Gjilan, ku u vranë tre persona, është një dhembje e madhe për të gjithë… Ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.