Reagon anëtari i kryesisë së Nismës:  LV-ja po mbron votën ilegale të ardhur nga Serbia, kjo s’do koment

12 nëntor 2019 | 15:11

Anëtari i kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Fazli Hoxha, ka reaguar pas vendimit që tre kandidatë për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje janë ankuar në Gjykatën Supreme rreth vendimit të PZAP-it, vendim ky që kësaj lëvizje ia merr tre deputetë dhe mundëson hyrjen në Kuvend të koalicionit Nisma-AKR-PD.

Ai për gazetën “Epoka e re” ka thënë se Nisma Socialdemokrate ka mirëpritur vendimin e ligjshëm të PZAP-it, i cili vendim u bëri një shërbim të madh proceseve demokratike në Kosovë, duke kthyer integritetin e zgjedhjeve.

“Të thirresh sot në patriotizëm dhe ta mbrosh votën ilegale të ardhur nga Serbia, kjo s’do koment. Ne si Nismë Socialdemokrate kemi mirëpritur vendimin  e ligjshëm të PZAP-it, i cili vendim u bëri një shërbim të madh proceseve demokratike në Kosovë, duke kthyer integritetin e zgjedhjeve”, ka thënë Hoxha.

Ai ka theksuar se provat që janë rreth këtyre votave të ardhura nga Serbia në mënyrë të jashtëligjshme nuk mund ta ndryshojnë gjendjen që është vërtetuar edhe me vendimin e PZAP-it. “PZAP-i ka konfirmuar atë që Nisma e ka thënë që nga fillimi, anulohen votat të ardhura kontrabandë nga Serbia. Cilido institucion ligjmbrojtës nuk ka bazë që ta ndryshojë këtë vendim të PZAP-it. Koalicioni ynë tashmë është pjesë e Kuvendit të Kosovës me gjashtë deputetë”, ka thënë Hoxha.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjyqtari Diamant Hoti është sulmuar në ndeshjen e Ligës së…