Reagon Asdren Osaj: Bllokada financiare nga Qeveria godet edhe “Kuzhinën Qendrore”
Kryeshefi Ekzekutiv i NPL “Kuzhina Qendrore”, Asdren Osaj, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për bllokimin e financave të Komunës së Prishtinës, gjë që, sipas tij, po e dëmton drejtpërdrejt funksionimin e ndërmarrjes. Ai thotë se komuna i ka borxh “Kuzhinës Qendrore”, por pamundësia e saj për t’i shlyer detyrimet vjen si pasojë e ndërhyrjes së Qeverisë. Osaj thekson se, pavarësisht dy muajve pa paga, punonjësit po vazhdojnë me përkushtim punën, në mënyrë që shërbimi për fëmijët – nga 9 muaj e lart – të mos ndërpritet, duke u mbështetur ndërkohë te mirëkuptimi i furnitorëve dhe bashkëpunëtorëve.
Njoftimi i plotë i Osajt:
Është fakt i pamohueshëm se bllokada financiare që Qeveria ia ka bërë Kryeqytetit na ka prekur edhe neve – NPL “KU’ZINA”.
Dhe kjo ka ndikuar që disa projekte dhe plane zhvillimore të spostohen për një fazë tjetër.
Aktualisht NPL “KU’ZINA” i ka 1.2 milionë euro buxhet / të hyra nga shitjet, të cilat nuk po mund t’i shfrytëzojë si rezultat i kësaj bllokade.
Ky është borxhi i Komunës ndaj nesh. Ky është një borxh i akumuluar, të cilin Komuna nuk po mundet të na e paguajë, si rezultat i bllokadës financiare që ia ka vendosur Qeveria.
E vlerësoj dhe e çmoj shumë mirëkuptimin që kemi hasur te furnitorët dhe bashkëpunëtorët tanë.
Falë tyre dhe punës së palodhshme të punëtorëve tanë, ne ende vazhdojmë të ofrojmë shërbime të ushqimit për:
• fëmijët në çerdhe dhe shkolla;
• të moshuarit në Shtëpinë e të Moshuarve;
• zjarrfikësit e Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës; dhe
• kategorinë e familjeve me asistencë sociale.
Ushqimi dhe shërbimi nuk është ndalur!
Ndërkohë që paratë tona qëndrojnë të bllokuara në arkën e shtetit:
• 120 të punësuar po hyjnë në muajin e dytë pa pasur mundësi t’i marrin pagat e tyre;
• furnitorë dhe bashkëpunëtorë pa pasur mundësi të paguhen për shërbimin që na e kanë ofruar;
• taksa dhe kontribute pa pasur gjithashtu mundësi të paguhen.
NPL “KU’ZINA”, është në mesin e atyre ndërmarrjeve komunale që në këto 4 vite të ekzistencës së saj ka afaruar me fitim – rreth 200 mijë euro ka qenë fitimi i deklaruar në çdo vit.
Kështu do të ndodhë edhe në këtë fundvit. Tash, për dallim nga më herët, me djersën tonë po punon/luan dikush tjetër – Qeveria.
Të dashur prindër, personalisht nuk do të befasohesha që brenda pak ditëve apo javëve, fëmijët tanë (i imi bashkë me të tuajin), e jo i atyre, të mbesin pa ushqim në çerdhe apo shkolla ku vijojnë edukimin.
Për aq sa do të kemi mundësi, nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë, por gjërat tashmë nuk janë më në dorën tonë.
Dy muaj pa paga – dhe po aq, nëse është e nevojshme, do të punojmë vetëm që ky shërbim ndaj fëmijëve të mos ndalet. Po flasim për fëmijë të moshës nga 9 muaj e tutje.
Shpresojmë shumë se sikur deri me tash, edhe tash e tutje do të kemi mirëkuptimin e furnitorëve dhe bashkëpunëtorëve tanë.
Nuk do ju mbesim borxh – Zotohemi!





