
Reagon Basha: E çmoj lart luftën e UÇK-së – nga unë nuk është shkruar asnjë përmbajtje kundër kësaj vlere të shenjtë
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka reaguar pas raportimeve për artikullin e vitit 2021, që shkruante kundër UÇK-së.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se punimi është bërë kur ai ka qenë student dhe ai është autor vetëm i Kapitullit 3, i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën.
Ai ka thënë se e çmon lart luftën e UÇK-së dhe kurrë s’do të shkruante kundër saj.
Postimi i tij i plotë:
Nuk është hera e parë që sulmohem me të pavërteta nga qarqe të caktuara, mirëpo para gjithë qytetarëve kam përgjegjësinë dhe obligimin t’ju jap llogari dhe sqarim për akuzat e ngritura sot.
Në lidhje me këtë çështje, tashmë është sqaruar për media edhe vet autorja Jana Arsovska, e cila ka dërguar një email demantues, dhe e ka bërë të qartë që unë kam dorëzuar për publikim vetëm Kapitullin 3 dhe mbaj përgjegjësi vetëm për përmbajtjen në atë kapitull.
I kërkoj falje qytetarëve që janë shqetësuar nga ky raportim i rremë, dhe prandaj lus mediat që të raportojnë drejtë dhe saktë, e në veçanti për tema kaq të ndjeshme, që nuk lidhen vetëm me mua personalisht, por me tërë popullin e Republikës së Kosovës.