Reagon nënkryetari i Degës së PDK-së në Zvicër: Kontributi në parti të bëhet përmes procesit zgjedhor të brendshëm
Nënkryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Zvicër, Mujë Haziri, ka reaguar ndaj deklaratave publike të Qemajl Rexhepit, i cili ishte dorëhequr nga Kryesia e PDK-së – Dega në Zvicër para katër vitesh. Në reagimin e tij, Haziri ka thënë se Rexhepi ka publikuar një shkrim duke tentuar, sipas tij, të gjejë “fajtorë” për rezultatin jo të kënaqshëm të PDK-së në Zvicër, duke e akuzuar atë për keqpërdorim të fotografisë dhe për mashtrim të opinionit publik.
Sipas Hazirit, Rexhepi është paraqitur në një fotografi bashkë me ish-këshilltarin e ish-presidentit Hashim Thaçi, Ismail Sylën, ndërkohë që ka deklaruar se është pjesë e strukturave të PDK-së, gjë që, sipas tij, nuk qëndron. “Nuk përfaqëson asnjë nivel të strukturave të PDK-së në Zvicër dhe për çështjet e organizimit në këtë shtet merren ekskluzivisht organet zyrtare të Degës”, ka theksuar Haziri. Ai ka shtuar se Rexhepi duhet të merret me aktivitetin politik në Gjermani, ku jeton dhe vepron, ndërsa ka nënvizuar se Dega e PDK-së në Zvicër ka strukturat e saj legjitime dhe funksionale. Më tej, Haziri ka bërë thirrje që të pritet përfundimi i procesit të numërimit dhe certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, përpara se të nxirren përfundime apo të drejtohen akuza publike.
Sipas tij, Kryesia Qendrore e PDK-së duhet të dalë me një analizë gjithëpërfshirëse të procesit zgjedhor dhe rezultateve, e më pas të japë rekomandime konkrete për degët përkatëse, duke identifikuar lëshimet eventuale gjatë procesit. “Nuk duhet të nxitohet me shkrime të paqëndrueshme vetëm për të treguar fajtorë me gisht”, ka deklaruar Haziri. Ai ka theksuar se deklaratat e nxituara nuk kontribuojnë në përmirësimin e klimës së brendshme të partisë, e cila sipas tij tashmë është e ndjeshme, as në punën e Kryesisë së PDK-së në Zvicër. Në fund, Haziri ka bërë thirrje për unitet dhe përfshirje përmes mekanizmave partiakë, duke theksuar se të gjithë ata që duan ta ndihmojnë realisht PDK-në duhet të presin fillimin e procesit zgjedhor të brendshëm të partisë, i cili pritet të nisë gjatë kësaj pranvere. “Kushdo që dëshiron të kontribuojë dhe të japë atë që di dhe mund për Partinë Demokratike të Kosovës, le të hyjë në garë dhe të zgjidhet aty ku synon”, ka përfunduar Haziri.



