Real Madridi mund të kursejë deri në 110 milionë euro falë talentit 18-vjeçar

13 mars 2026 | 15:25

Real Madridi prej kohësh është në kërkim të një ose dy profileve të reja për mesfushën, por shpërthimi i talentit të ri Thiago Pitarch mund të ndryshojë planet e klubit madrilen.

Nëse 18-vjeçari vazhdon me këtë ritëm në ekipin e parë, drejtuesit e klubit mund të kursejnë një shumë të konsiderueshme në afate kalimtare.

Mesfushori i ri bëri një paraqitje shumë të mirë në ndeshjen kundër Manchester City, duke tërhequr vëmendjen e mediave dhe tifozëve në gjithë Evropën. Performanca e tij erdhi në një moment shumë të rëndësishëm të sezonit për madrilenët.

Pavarësisht se si do të përfundojë sezoni me Real Madridin aktualisht 4 pikë pas Barcelonës në La Liga dhe me një avantazh të madh në Ligën e Kampionëve pas fitores 3-0 ndaj Cityt në ndeshjen e parë të 1/8-ës së finales, drejtuesit e klubit janë të bindur se gjatë verës do të bëjnë ndryshime në skuadër.

Gjatë verës së kaluar, klubi tentoi të transferonte një mesfushor defensiv që të organizonte lojën nga prapa, një rol që më parë e kryente Toni Kroos.

Një nga objektivat kryesorë ishte Martin Zubimendi, por ai zgjodhi të transferohej te Arsenal. Aktualisht, profili më i afërt me atë rol në skuadër konsiderohet Dani Ceballos.

Megjithatë, drejtuesit e klubit kanë vazhduar të monitorojnë emra të tjerë dhe pritet të rikthehen në treg në muajin qershor.

Në pozicionin e mesfushorit të brendshëm, Real Madridi mund të kursejë deri në 110 milionë euro, pasi Thiago Pitarch duket se ka ardhur për të qëndruar.

Sipas raportimeve, ai ka shumë gjasa të jetë titullar në fazën përfundimtare të sezonit.

Edhe pse fizikisht aktualisht mund të mbajë ritëm të lartë për rreth 60-70 minuta, energjia dhe përkushtimi i tij në fushë janë të jashtëzakonshme.

Pitarch kishte spikatur më herët në ndeshjet e kampionatit spanjoll, por “pagëzimi” i tij ndërkombëtar erdhi pikërisht në përballjen ndaj Manchester City.

Presioni i ndeshjes nuk ndikoi në lojën e tij, edhe pse në një moment ishte pranë një gabimi që mund t’i kushtonte skuadrës gol.

Personaliteti dhe qetësia që ai shfaqi në fushë konsiderohen tipare të një lojtari me potencial të madh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës…