
Reali ‘ëndërron’ një mesfushor, por mbetet shumë i vështirë transferimi i tij
I rëndësishëm për projektin e Luis Enriques te Paris Saint-Germain, Vitinha është konsideruar një nga mesfushorët më të mirë në botë.
Mesfushori portugez mbetet një objektiv i lakmuar për Real Madridin, i cili dëshiron ta ketë “qershinë mbi tortë” në skuadrën e tij.
Mesfushori 25-vjeçar ka shkëlqyer në fushë dhe arriti të përfundojë i treti në renditjen e Topit të Artë, pas shokut të tij të skuadrës, Ousmane Dembele dhe Lamine Yamal. PSG e di vlerën e madhe të tij dhe e konsideron si një nga thesaret më të çmuara të klubit.
Vitinha është pjesë thelbësore e mesfushës së Luis Enriques, duke udhëhequr lojën dhe duke bërë që PSG të duket e balancuar dhe kreative. Performancat e tij kanë ngjallur interes të madh nga Real Madrid, që duket i vendosur të bëjë lëvizjet e nevojshme për të transferuar talentin portugez.
Sipas raporteve nga Anglia, kampionët spanjollë janë të gatshëm të investojnë mbi 100 milionë euro për të siguruar shërbimet e tij, edhe pse kontrata e Vitinha me PSG-në zgjat deri në vitin 2029.
Mbetet për t’u parë nëse një marrëveshje e tillë do të realizohet, ndërsa historia e mesfushorit të lakmuar pritet të jetë një nga temat më të nxehta të afatit kalimtarë veror të vitit të ardhshëm. /Telegrafi/