Reali zyrtarizon transferimin e Alexander-Arnold

30 maj 2025 | 12:30

Një epokë e re nis në Madrid. Me një firmë, me një njoftim zyrtar, Real Madridi ka përforcuar radhët e tij me një ‘yll’ të futbollit anglez: Trent Alexander-Arnold. Mbrojtësi i djathtë, që për shumë vite ishte simbol i Liverpoolit, ka firmosur një kontratë 6-vjeçare që e lidh me “Los Blancos” deri në vitin 2031.

“Real Madrid CF dhe Liverpool FC kanë arritur një marrëveshje që do ta mbajë Trent Alexander-Arnold në klubin tonë për gjashtë sezonet e ardhshme, nga 1 qershori 2025 deri më 30 qershor 2031. Alexander-Arnold do të luajë me Real Madridin në Kupën e Botës për Klube, e cila do të mbahet në Shtetet e Bashkuara duke filluar nga 14 qershori”, thuhet në njoftimin e Real Madridit. I njohur si “i pesti Beatle” apo si mjeshtri i këndit kundër Barcelonës, Trent është gjithashtu një mik i ngushtë i Bellinghamit, me të cilin do të ndajnë dhomën e zhveshjes në “Santiago Bernabeu”.

Në moshën 26-vjeçare, ai vjen për të sfiduar dhe trashëguar vendin e Dani Carvajal. Kalimi nuk ka qenë i lehtë. Marrëveshja ishte në tavolinë prej muajsh, por vonesat nga Liverpooli, që kërkonte ta mbante për Botërorin e Klubeve, vonuan gjithçka. Trent, megjithatë, mbeti i palëkundur: nuk donte të rinovonte dhe insistoi për kalimin te Real Madridi. Reali do të paguajë rreth 10 milionë euro për të përshpejtuar ardhjen e tij. Fillimisht mendohej një shumë më e vogël, por përfshirja në Kupën e Botës për Klube kërkonte zgjidhje të menjëhershme.

Liverpooli rezistoi gjatë, por më në fund dha miratimin. Alexander-Arnold do të bashkohet me Realin më 11 qershor, menjëherë pas angazhimeve me Anglinë, dhe do të ketë vetëm disa ditë për t’u përshtatur para debutimit në Botërorin e Klubeve më 18 qershor. Sfida është e madhe, por madrilenët besojnë se kanë sjellë një tjetër “Galaktik”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Piloti holandez i Red Bullit, Max Verstappen, kampion në fuqi…