Realizohet seanca e parë gjyqësore përmes videolidhjes në Kosovë

19 qershor 2025 | 13:20

Për herë të parë në Kosovë është mbajtur një seancë gjyqësore përmes videolidhjes, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit të drejtësisë dhe Shërbimit Korrektues.

Seanca është zhvilluar të enjten, në bashkëpunim të ngushtë mes Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK) dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë.

I burgosuri, i cili ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan është paraqitur në gjykim përmes videolidhjes, ndërsa seanca është udhëhequr nga gjyqtarja Fatime Dermaku nga ambientet e gjykatës në Prishtinë.

“Kjo mënyrë e mbajtjes së seancave gjyqësore përmes videolidhjes synon lehtësimin e procesit gjyqësor, duke zvogëluar nevojën për transport fizik të të burgosurve drejt gjykatave, duke rritur sigurinë dhe efikasitetin në procedura. Për realizimin e kësaj seance janë përdorur pajisje të avancuara audio dhe video për incizimin dhe regjistrimin e seancave gjyqësore. Këto pajisje,  janë dhuruar nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), do të ndihmojnë në lehtësimin e punës së Shërbimit Korrektues dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në fushën e drejtësisë”, ka njoftuar ShKK-ja.

Më tutje në njoftimin e ShKK-së është thënë se ky është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit korrektues dhe drejtësisë në vend, duke kontribuar në rritjen e sigurisë gjatë procedurave gjyqësore dhe duke përmirësuar aksesin e të burgosurve në proceset gjyqësore në mënyrë më efikase dhe të sigurt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi, ka komentuar zhvillimet politike në…