Reçaku përjetësisht në ndërgjegjen tonë

15 janar 2026 | 23:33


Shkruan: Ethem Çeku

Sot përkujtojmë të rënët në Reçak një nga ngjarjet më të rënda dhe më tronditëse të historisë sonë të re. Masakra e Reçakut ishte një akt barbarie i planifikuar dhe i zbatuar mbi popullsinë shqiptare të pambrojtur, duke lënë një plagë të thellë në ndërgjegjen kombëtare dhe njerëzore.

Reçaku nuk ishte rastësi. Reçaku ishte vazhdimësi.

Dhuna e ushtrisë, policisë dhe formacioneve paramilitare serbe ndaj shqiptarëve nuk është episod i izoluar i një kohe të caktuar, por një rrjedhë e gjatë historike një përsëritje tragjike që përshkon më shumë se një shekull. Kjo histori na tregon se kur harrojmë, rrezikojmë ta përjetojmë sërish.

Në kohën e Krizës Lindore, Serbia kreu masakra dhe spastrime etnike në Sanxhakun e Nishit dhe në territore të tjera shqiptare. Mijëra shqiptarë u dëbuan nga trojet e tyre dhe u shndërruan në muhaxhirë, të cilët u vendosën në Kosovë, duke bartur me vete plagën e një padrejtësie historike.

Gjatë Luftërave Ballkanike, në veçanti në Luftën e Parë Ballkanike, Serbia kreu gjenocid dhe vrasje masive ndaj shqiptarëve dhe myslimanëve. Edhe pse historiografia serbe shpesh tenton t’i minimizojë krimet, vetë ajo pranon rreth 25 mijë të vrarë, ndërsa burimet dhe dëshmitë e kohës flasin për shifra shumë më të larta, deri rreth 100 mijë viktima.

Në periudhën e Mbretërisë Jugosllave (1918–1941), shqiptarët u përballën me represion shtetëror sistematik: vrasje, burgosje, shpërngulje dhe kolonizim të dhunshëm, që synonte ndryshimin e strukturës etnike të Kosovës dhe trojeve shqiptare.

Edhe Jugosllavia e Titos nuk e ndali dhunën. Nga viti 1945 e sidomos gjatë periudhës së Rankoviqit, mijëra shqiptarë u vranë, u burgosën dhe u detyruan të shpërngulen. Kryengritja e Drenicës, masakra e Tivarit, si dhe vrasje të tjera në Trogir e gjetkë, janë dëshmi se shteti jugosllav ndërtoi një politikë të shtypjes, jo të barazisë.
Edhe më vonë, nga viti 1981 deri në vitin 1997, vrasjet, dhuna policore dhe terrori shtetëror nuk pushuan. Ndërsa gjatë luftës së fundit në Kosovë, u vranë rreth 13 mijë qytetarë, kryesisht civilë të pafajshëm, fëmijë, gra dhe pleq, duke e vulosur një kapitull të errët të historisë së Evropës moderne.

Prandaj, historia nuk është thjesht kujtim: është mësim.

Serbia, për më shumë se një shekull, ka ndjekur politika që synojnë ndryshimin e realitetit demografik, shuarjen e identitetit dhe thyerjen e vullnetit për liri. Ajo ka vrarë jo vetëm trupin e shqiptarit, por ka synuar të vrasë edhe ndjenjën e lirisë, krenarinë dhe të drejtën për të qenë në tokën e vet.
Politika serbe ka qenë dhe mbetet e mbështetur në konceptin e dhunës shtetërore dhe në mendësinë e dominimit. Serbia rrallë ndryshon pa u përballur me të vërtetën dhe pa u detyruar nga drejtësia.

Për këtë arsye, institucionet tona dhe shoqëria jonë nuk duhet të harrojnë historinë. Kujtesa është mbrojtje. Kujtesa është dinjitet. Kujtesa është garanci që tragjeditë të mos përsëriten.
Nder dhe respekt për të rënët e Reçakut! Nder dhe lavdi për martirët e Kosovës! Kujtimi i tyre le të mbetet përjetësisht ndërgjegje dhe udhërrëfim për kombin tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së Xhavit Haliti në emisionin “Click” në RTV21…