Reçica kujton Ahmet Brahimajn: Figurë me vizion që la gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica, ka kujtuar ish-drejtorin dhe themeluesin e Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimajn, në 6-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Reçica bëri të ditur se sot, në Novosellë të Pejës, së bashku me familjarët e Brahimajt, kanë bërë homazhe pranë varrit të tij, duke nderuar figurën dhe kontributin e tij në artin dhe kulturën shqiptare.
“Sot, në Novosellë të Pejës, me rastin e 6-vjetorit të ndarjes nga jeta të ish-drejtorit dhe themeluesit të Baletit Kombëtar të Kosovës, mikut tim të çmuar, Ahmet Brahimaj, së bashku me familjarët e tij bëmë homazhe pranë varrit të tij, duke kujtuar me respekt dhe mirënjohje një figurë të jashtëzakonshme të artit dhe kulturës sonë kombëtare”, ka shkruar Reçica.
Ai e vlerësoi Brahimajn si një njeri me vizion, përkushtim dhe dashuri të madhe për artin, duke theksuar se kontributi i tij në zhvillimin dhe ngritjen e baletit në Kosovë mbetet i paharrueshëm.
“Ahmet Brahimaj do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë si një njeri me vizion, përkushtim dhe dashuri të madhe për artin, i cili dha kontribut të pashlyeshëm në zhvillimin dhe ngritjen e baletit në Kosovë. Kujtimi dhe vepra e tij vazhdojnë të jetojnë ndër breza, si frymëzim për artistët dhe kulturën tonë kombëtare”, thuhet më tej në reagimin e Reçicës.
Në fund, ai ka shprehur respektin e tij për figurën e Brahimajt me fjalët: “I paharruar qoftë kujtimi për të.”




