Reçica viziton nënën e dëshmorit Hajriz Muhadini: Nëna Elife nuk rriti djem vetëm për familjen, por ia fali edhe Kosovës
Ish-deputeti Elmi Reçica ka vizituar nënën Elife, nënën e Dëshmorit të Kombit, Hajriz Muhadini, duke ndarë emocione dhe kujtime të veçanta për bashkëluftëtarin dhe mikun e tij të afërt.
Përmes një njoftimi pas vizitës, Reçica ka kujtuar Hajrizin si një njeri të fjalës, të guximit dhe të dashurisë së madhe për atdheun.
“Emocion i veçantë gjatë vizitës tek nëna Elife, nëna e Dëshmorit të Kombit, Hajriz Muhadini. Hajrizin, përveç që e kisha bashkëluftëtar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kisha edhe mik shumë të afërt, njeri të fjalës, të guximit dhe të dashurisë së madhe për atdheun”, ka shkruar Reçica.
Ai ka theksuar se jeta për familjen Muhadini nuk ka qenë e lehtë, sidomos pas vdekjes së hershme të babait, kur barra e rritjes dhe edukimit të fëmijëve mbeti mbi supet e nënës Elife.
“Me shumë sakrificë, mund e vështirësi, ajo arriti t’i rrisë dhe edukojë fëmijët e saj me dinjitet, kulturë, sjellje dhe mbi të gjitha në frymën e atdhedashurisë. Nëna Elife nuk rriti djem vetëm për familjen e saj, por ia fali edhe Kosovës”, është shprehur ai.
Sipas Reçicës, nëna Elife mbolli tek fëmijët ndjenjën e atdhedashurisë dhe sakrificës, vlera që dëshmori Hajriz Muhadini i dëshmoi deri në rënien heroike në altarin e lirisë si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Takime të tilla të rikujtojnë se liria jonë ka emra, ka histori dhe mbi të gjitha ka nëna heroina që mbajtën gjallë shpirtin e qëndresës shqiptare”, ka shtuar ai.
Në fund, Reçica ka shprehur respekt dhe mirënjohje të pafundme për nënën Elife dhe për të gjitha familjet e dëshmorëve që, siç tha ai, i dhanë kombit më të shtrenjtën.




