Reçica vlerëson ekspozitën “Eksodi ‘99”: Arti dëshmi e gjallë e kujtesës dhe qëndresës kolektive
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, ka marrë pjesë në ekspozitën mbarëkombëtare “Eksodi ‘99”, e organizuar në Galerinë FLORI, ku u prezantuan punime të 67 artistëve nga të gjitha trevat shqiptare.
Përmes një reagimi, Reçica ka theksuar se kjo ekspozitë përbën një dëshmi të fuqishme të kujtesës historike dhe qëndresës kolektive, duke nënvizuar rolin e artit në reflektimin mbi të kaluarën.
Ai ka veçuar veprën fituese të çmimit të parë, të realizuar nga profesori dhe akademiku Haki Xhakli, të cilën e ka cilësuar si një krijim të jashtëzakonshëm që përcjell me forcë ndjenjat e dhimbjes dhe kujtesës kolektive.
“Në kuadër të kësaj ekspozite pata kënaqësinë e veçantë të qëndroj përballë një vepre që flet fuqishëm për kujtesën dhe qëndresën tonë,” ka theksuar Reçica.
Po ashtu, ai ka përmendur edhe punimin e piktorit Edmond Dhrami, të dedikuar për gjeneralin amerikan Wesley Clark, duke e vlerësuar si një realizim artistik mbresëlënës dhe me domethënie të veçantë.
Sipas Reçicës, ekspozita “Eksodi ‘99” mbetet një dëshmi e gjallë e fuqisë së artit për të ruajtur historinë, për të reflektuar mbi të kaluarën dhe për të ndërtuar ura drejt së ardhmes.



