Refleksion mbi intelektualët

01 qershor 2022 | 08:16

Nga: Ndriçim Kulla

Në vitin 2013, Vinçenso Traverso, njëri prej historianëve më brilant të mendimit bashkëkohore, botoi një libër me titullin “Ku po shkojnë intelektualët”? Pas shembjes së bllokut sovjetik, sipas autorit, kanë ndodhur dy transformime kryesore: nga njëra anë kultura dhe veprat e saj u shndërruan masivisht në objekte konsumi dhe, nga ana tjetër, intelektualët u munduan të përshtaten duke u transformuar në “ekspertë”. Në këtë mënyrë “mendimi kritik” filloi të vritej gjithmonë e më shumë, sepse figura e “ekspertit” u shoqërizua me atë të “teknikut” që duhet të japë një mendim “neutral”. Ky rol i fundit i shndërroi intelektualët në “ekspertë emisionesh televizive” apo komentatorë gazetash e revistash, me qëllimin kryesor atë të “shpjegimit të botës”, jo të ushtrimit të një kritike mbi botën.

Shembujt që ai jep nga bota intelektuale franceze janë të nivelit të lartë, po megjithatë Traverso nuk shfaqet pesimist. Përgjigjet, gati si të plastifikuara, të ekspertëve, bëhen gjithnjë e më të papërshtatshme, pasi denoncimet apo akuzat gati të përditshme shfaqin hapur një rritje të pabarazisë sociale.

Problemi qëndron në faktin se intelektuali që mund të shërbejë si “ndërgjegjja kritike e shoqërisë”, nuk është gazetari, as profesori i mediatizuar i universitetit, por studiuesi kritik, qoftë i një institucioni publik apo privat, që prodhon kundër-informacion. Ky lloj intelektuali mund të jetë i “gjindshëm” në shumë fusha, por nuk është kurrë aty ku e kërkon media; pasi ai nuk e kërkon median, as është i sponsorizuar prej saj apo OJQ-ve të ndryshme. Është pikërisht kjo tipologji intelektualësh që, sipas autorit, do të jetë protagonist i një “revolucioni” që ai e përcakton si të një “intensiteti të ulët” ose, thënë ndryshe, i një revolucioni të vazhdueshëm dhe gërryes për sistemin.

Nëse do t’i shëmbëllenim këto tipologji të rolit intelektual në pasqyrën e realitetit shoqëror dhe mediatik shqiptar, do të shikonim se mbizotëron më tepër tipologjia e “ankimtarit” mbi atë të intelektualit “me ndërgjegje të qetë”, e gazetarit – specialist apo e ekspertit-mediatik – mbi intelektualin e “ndërgjegjes kritike” të shoqërisë. E gjitha kjo ka bërë që të mos kemi asnjë politikë të mbështetur tek fuqia e intelektualitetit dhe asnjë ideologji drejtuese në kuptimin më të thjeshtë e më të sinqertë të fjalës, që të paraqesë një përmbajtje intelektuale të vlertë e të vërtetë.

Na mungojnë kryekëput që të dyja, e në këtë boshllëk të zvarritur aq gjatë shohim vetëm një gjë dhe vetëm për një mungesë ankohemi: nuk arrijmë dot të bashkohemi as mes intelektualësh. Cila do të qe rruga për të dalë nga ky qorrsokak, që është trashëguar si “kryqi” dhe “kalvari” më i njëmendtë i gjithë jetës sonë mendore përgjatë një shekulli?

Ç’na mungon vallë?

Dispozitat e bashkëpunimit apo mundësia e bashkëpunimit, do të qenë dy simptomat më të dukshme të kësaj mungese; por, duke dashur të kalojmë në rrënjë të problemit, mund t’i kapërcejmë që të dyja, përderisa janë elemente subjektive të problemit. Për të kaluar tek mungesa më e thellë dhe më serioze: mungesa e objektivit të bashkëpunimit. Këtu qëndron burimi ynë i së keqes. Në përgjithësi, qerthulli i intelektualëve tanë e kanë ndier si të natyrshme detyrën e udhëheqjes së popullit. Por, për të kuptuar sa më mirë se si mund të ndikojnë mbi popullin dhe si duhet ta ndihmojnë atë, së pari nevojitet të kuptohet domethënia e termit “udhëheqje e popullit”. Ajo nuk nënkupton vetëm drejtimin politik, por parësisht një punë edukuese dhe emancipuese pranë popullit. Dhe, me udhëheqës “intelektualë”, siç do të shprehej Edith Stein në letrën e saj të famshme drejtuar intelektualëve, nuk nënkuptohen vetëm teoricienët, por të gjithë ata që në bazë të një formimi teorik ushtrojnë një profesion praktik. E, këtu mund të përfshihen kategori të tilla si mjekët, mësuesit, udhëheqësit fetarë, e kështu me radhë. Madje, këta të fundit, sado e çuditshme mund të duket, renditen në mënyrë të patjetërsueshme mes tyre, pasi nga këndvështrimi fetar dhe ai i etikës sociale nuk mund të kënaqemi ta lëmë popullin herë pas here pa ndihmë.

Kush ka arritur në një shkallë më të lartë humaniteti, në krahasim me masë e gjerë të njerëzve, nuk mund ta konsiderojë këtë shkallë si shenjë ndarëse; përkundrazi, bëhet fjalë për një shenjë fisnikërie që na angazhon për të punuar për të tjerët dhe pranë tyre. Aq më tepër që populli është më i prirë të pranojë si udhëheqës ata që kanë dalë nga gjiri i tij dhe kanë arritur një vend të lartë në shoqëri, pa humbur kontaktin me ata që janë poshtë tyre; pasi besohet, se ata e kanë ende për zemër njeriun e popullit dhe dinë shumë më mirë se cilat janë shqetësimet e tij. Kush i flet popullit me një gjuhë te rrjedhshme, të “lëmuar” prej njerëzve të “kultivuar”, kush “fluturon” shkujdesshëm mbi realitetin e rëndë të luftës së përditshme për të jetuar, në të cilën është ngërthyer sot pjesa dërrmuese e shqiptarëve, ai është i dyshuar që në fillim të rolit të vet udhëheqës. Po kështu edhe një vullnet i lartë sakrifice apo një entuziazëm i madh i shprehur aq fort për të mirën e popullit, streha ku “fshihen” shpesh mjaft programe zgjedhore apo cikle reformash politike dhe shoqërore, përsëri nuk arrijnë t’i shkatërrojnë dot barrierat që ato ngrenë me popullin.

Në këtë kuptim, intelektuali do ta gjejë rrugën kundrejt popullit, pa të cilën ai s’mund të arrijë ta udhëheqë atë, vetëm nëse çlirohet prej intelektualitetit të vet. Kjo nuk nënkupton aspak mohimin dhe braktisjen e tij. Përkundrazi. Intelekti është një dhunti për të cilën ata kanë nevojë, jo vetëm për veten, por pikërisht për ata që dallohen prej tij. Veçse Intelekti duhet të dijë të kuptojë limitet e veta, për tu shndërruar kështu në një cilësor thjeshtësie për njeriun. Pjesa më e madhe e aktivitetit të intelektit, të udhëheq zakonisht kah një arrogance apo mendjemadhësie intelektuale. Ajo të bën të ndihesh i lartë dhe i madh në lartësirat e kulluara te abstrahimit sipër “popullit profan”, të përzierë dhe ngatërruar në “ultësirat” e nevojave të jetës.

Është kjo kryelartësi, edhe pse intelekti atë nuk e shfaq hapur apo nuk e ndjen në ndërgjegje në mënyrë të bindshme, ajo që nga të tjerët perceptohet si përbuzëse dhe si një “zakon” nga i cili intelektualët duhen “pastruar”. Për të gjitha këto arsye, nuk janë të paktë mendimtarët që kanë hedhur herë pas here kushtrimin ndaj intelektualëve “për të marrë udhën që i shpie drejt popullit”. Njëri prej tyre, mjaft i spikatur në këtë analizë, është Antonio Gramshi. Sipas tij, intelektuali mund të pretendojë të përfaqësojë popullin vetëm kur raporti në mes tyre themelohet mbi bazën e një “sinteze organike në të cilën ndjenja dhe pasioni shndërrohen në kuptim dhe dije”. Që një intelektual ka një raport funksional me klasat sunduese është diçka e analizuar gjatë. Ndaj tyre Gramshi vendos intelektualin “organik” të popullit. Elementi popullor “ndjen”, shpjegon ai, por jo gjithmonë kupton ose di. Kurse, elementi intelektual “di”, por jo gjithmonë, kupton e veçanërisht “ndjen”. Dy ekstremet janë pedantizmi nga njëra anë dhe pasioni i verbër ose sektarizmi nga ana tjetër. Jo se pedanti nuk mund të jetë i apasionuar, përkundrazi; pedantizmi i apasionuar është po kaq i rrezikshëm dhe qesharak sa sektarizmi dhe demagogjia më e shfrenuar.

Gabimi i shpeshtë i intelektualëve qëndron në besimin e tyre se mund të dihet edhe pa kuptuar, e sidomos pa “ndier”. Madje, se ata mund të jenë të apasionuar edhe kur janë të shkëputur nga populli, pra, pa ndier pasionet elementare të tij, për t’i kuptuar edhe shpjeguar ato. Nuk bëhet as histori, as ndikim e as politikë pa këtë lloj të caktuar pasioni, domethënë pa këtë lidhje sentimentale midis popullit dhe intelektualit. Kjo ka qenë mangësia më serioze dhe e dhimbshme e intelektualitetit shqiptar të gjithë këtyre viteve ndoshta e ndikuar kjo dhe nga një trashëgimi e caktuar, ku më e ndërgjegjshme dhe ku më e pandërgjegjshme, e mendësisë komuniste. Në pafuqi dhe dobësi të këtij raporti, kjo lidhje është reduktuar në një raport të llojit burokratik dhe formal, duke i shndërruar intelektualët në një kastë (analistësh mediatikë) ose siç e përcaktonte Gramshi, në një “fuqi të centralizuar organike” ndaj popullit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Ndjesia e parë që provon lexuesi kur hyn në botën…