
Reforma e administratës publike mbetet prioritet kyç i qeverisë
Ministria e Punëve të Brendshme mbajti takimin e radhës së Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike (KMRAP), me qëllim të raportimit të arriturave gjatë kësaj periudhe gjashtë mujore.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, i cili e udhëhoqi takimin e Këshillit të Ministrave për RAP-in, pasi falënderoi kolegët ministra e zëvendësministra anëtarë të KMRAP, theksoi se ashtu siç është paraparë në programin qeverisës, reforma e administratës publike mbetet prioritet kyç i Qeverisë së Kosovës.
Me këtë rast, zëvendësministri Dobra, vuri në dukje se RAP synon ndryshimin rrënjësor të cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve përmes krijimit të një administrate moderne dhe të aftë, gjë që ndihmon po ashtu edhe në përmbylljen e suksesshme të integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.
Zëvendësministri Dobra ka konstatuar se zbatimi i Planit të ri-shikuar të veprimit gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, ka shënuar progres kundrejt planifikimit dhe atë në masën prej 62% të aktiviteteve të planifikuara, por që mbetet ende angazhim drejt realizimit të plotë.
Në këtë takim u miratua edhe raporti gjashtëmujor mbi zbatimin e Planit të veprimit për vitin 2025 të Strategjisë për Reformën e Administratës Publike 2022-2027.
Kjo strategji është dokumenti kryesor për fushën e administratës publike dhe reflekton përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë në funksion të përmirësimit, reformimit dhe modernizimit të gjithmbarshëm të kësaj fushe.
Në fund të takimit zëvendësministri Dobra kërkoi rritje të angazhimit, përkushtimit dhe bashkëpunimit të ngushtë të institucioneve, për të siguruar një funksionim më të mirë dhe qëndrueshëm të administratës publike përmes zhvillimit, zbatimit dhe rishikimit efektiv të politikave të qeverisë.