Reforma e administratës publike, një nga proceset kyçe për agjendën evropiane të Kosovës
Në takimin e Grupit të Veçantë të Reformës së Administratës Publike i cili u mbajt sot është biseduar për të arriturat e Qeverisë së Republikës së Kosovës në linjë me zhvillim e reformave të administratës publike.
Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri, gjatë këtij takimi ka theksuar se ekziston një vullnet i fortë politik për të përmbyllur një reformë, e cila përfundimisht, do të normojë hierarkinë institucionale të institucioneve të Kosovës.
“Përmbyllja e këtij procesi do të qartësojë përfundimisht funksionimin e administratës shtetërore dhe do ta kthejë atë në bazën themelore përgjatë rrugëtimit tonë drejt integrimit evropian. Para se gjithash, reforma e administratës publike është njëra prej shtyllave të Strategjisë së Zgjerimit të BE-së dhe një nga proceset kyçe për Agjendën Evropiane të Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Ai përveç prezantimit të arritjeve, në këtë takim ka shpalosur planin e veprimit dhe vizionin për procesin e reformës, më saktësisht gjashtë pikat kyçe të këtij procesi: (1) Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, (2) Programi për Zvogëlimin e Barrës Administrative, (3) Projektligj për Financat e Pushtetit Lokal, (4) Ligji për Inspektimet, (5) Ligji për Pagat në Sektorin Publik, dhe (6) Strategjia Kundër Korrupsionit.
(Q.R / Epoka e re)



