Reformimi i administratës publike, proces i pandalshëm

16 maj 2018 | 07:32

Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, ka bërë me dije se janë duke punuar për krijimin e një administrate publike moderne, të qëndrueshme dhe të paanshme në shërbim të qytetarëve dhe të bizneseve.

Ai ka treguar se aktualisht MAP-i është në fazën finale të rishikimit të Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike 2018-2020.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Jagxhillari ka deklaruar se reformimi i administratës publike do të jetë proces i pandalshëm.

Ministri Jagxhillar ka paralajmëruar se gjatë muajit qershor do të dërgohen për miratim në Qeveri tri ligjet bazike të administratës publike: Ligji për Pagat, Ligji për Shërbimin Civil dhe Ligji për Organizimin e Administratës Publike.

Ai ka treguar se në agjendën e reformave nuk është paraparë largimi i punonjësve, por profesionalizimi dhe efikasiteti i administratës publike.

“Siç e dini, reforma e administratës publike është një proces që kërkon kohë. Aktualisht jemi në fazën finale të rishikimit të Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike 2018-2020. Procesi i reformimit të administratës publike është fokusuar në ndryshimin apo reformimin përmes pakos legjislative që përmban Projektligjin për Shërbimin Civil, Projektligjin për Pagat dhe Projektligjin për Organizimin e Administratës Publike. Si dhe nga ana tjetër, me zbatimin e Kornizës Strategjike për Reformën e Administratës Publike që përbëhet nga katër strategji: Strategjia e Koordinimit të Politikave, Strategjia e Rregullimit më të Mirë (Legjislacionit), Strategjia e Modernizimit të Administratës Publike dhe Strategjia e Menaxhimit të Financave Publike”, ka thënë Jagxhillar.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndërtoi një kompani me më shumë se dy miliardë përdorues,…