REFORMIMI

09 mars 2021 | 19:44

Shkruan: Ismail Syla

Reformimi

1.
Fjala “reformim” është shumë e lehtë për t’u thënë, por dukshëm e dukshëm me e vështirë për t’u vënë në jetë, si veprim dhe intervenim konkret për të bërë ndryshime në favor të përmirësimit të organizatave politike, ndërmarrjeve ekonomike de institucioneve tjera. Reformimi si proces duhet të jetë periodik dhe i domosdoshëm për të gjitha institucionet që nëse duan të mbesin të njëjta, në trend dhe qëndrueshmëri, duhet të ndryshojnë dhe freskohen pareshtur. Në rrafshin politik koncepti “reformim” përftoi një fuqi magnetike pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021.

2.
Nëse reformimi në partitë politike nuk ndodh nga brenda, në mënyrë të natyrshme dhe të rregullt, nëse nuk lexohet drejt faktori orë dhe kohë për nevojën e ripërtëritjes, atëherë vijnë alarmet dhe të rënat e kambanave nga jashtë si sinjal për t’u zgjuar nga letargjia. Për të gjitha subjektet politike me vlera klasike dhe tradicionale të Kosovës, për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancën dhe për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 14 shkurti tregoi më së miri se në mungesë të leximit të orës për reformim të brendshëm, erdhi sinjali nga jashtë për domosdoshmëri reformimi.

3.
Për Lidhjen Demokratike të Kosovës sinjalin më të mirë e dha herezia politike e Vjosa Osmanit, e cila duke iu bashkuar frymës politike të Lëvizjes Vetëvendosje arriti ta dëmtojë radikalisht partinë amë, LDK-në. Më duhet ta pranoj në rrafshin personal, se para rezultatit zgjedhor kam pasur bindjen që elektorati bazik i LDK-së nuk do t’ia falë ikjen lideres së nismës “Guxo”, por ndodhi e kundërta. Ajo LDK-së ia përgjysmoi numrin e përfaqësuesve në Kuvendin e Kosovës. Të shohim se pas një muaji nga stuhia politike, më 14 mars, çfarë kursi do të merr LDK-ja, me shkëputje të plotë nga garda e vjetër e drejtuesve apo me gjysmëshkëputje, ku njëra këmbë e vjetër do të ecën në hap me njërën këmbë të re.

4.
Edhe Partisë Demokratike të Kosovës i erdhën alarmet dhe sinjalet e duhura, por nga jashtë. Këmborët e 6 nëntorit 2019 u shndërruan dhe tingëlluan si kambana të mëdha alarmi më 14 shkurt 2021. Reformimi i pakryer në mënyrë të natyrshme brenda PDK-së, u traumatizua nga intervenimi i jashtëm, nga arrestimi i kreut të saj, kryetarit Veseli, si goditje nga Gjykata e Hagës. Goditja e dytë erdhi nga rezultati zgjedhor i 14 shkurtit. PDK-ja gjendet para nevojës urgjente dhe akute të reformimit, ose para goditjes së tretë të jashtme në ardhje e sipër. Nëse PDK-ja nuk ndërmerr hapat e duhur, atëherë tendenca e degradimit do të shkojë në të njëjtin proporcion rënieje: prej 24 % të nëntorit 2019, në 17% të 14 shkurt 2021 drejt 8% në zgjedhjet lokale në vjeshtë 2021.

5.
Një shembull që mbaj mend nga tradita politike e reformimit të ndonjë subjekti politik shqiptar është reformimi i Partisë së Prosperitetit Demokratik të shqiptarëve në Maqedoni më 1997. Aktor i këtij reformimi dhe e vetmja trashëgimi politike që e mbaj mend si hap pozitiv të tij, është Menduh Thaçi. Ai arriti që në krye të subjektit kryesor politik shqiptar në Maqedoni ta sjellë Arben Xhaferin, një lider politik i përgatitur dhe jashtëzakonisht i artikuluar. Madje, për paradoks, një elektorat jo në shkallë të emancipimit të elektoratit shqiptar në Kosovë, pra shqiptarët e Maqedonisë kishin në krye një lider më të emancipuar, me profil filozofi dhe teoricieni më cilësor se gjithë liderët e Kosovës.

6.
Partive politike klasike dhe tradicionale të Kosovës sot u duhet një ndërmjetës, një Menduh Thaç, i cili arrin që të identifikojë dhe sjell në krye të partive liderin e duhur. Partitë klasike duhet ta lexojnë mirë faktin se rruga politike e përshkuar brenda periudhës 20 ose 30 vjeçare ka pikënisjen e kapitujve të caktuar dhe mbylljen e tyre. Midis pikënisjes dhe mbylljes së kapitujve ka ecje drejt të arriturave historike, arritje kulmore historike, ecje në rrafshin e kulmit, monotoni dhe fillim të rënies. Trashëgimia politike sado e madhe nuk mund të jetë gjithmonë shpërthyese dhe gjithmonë aktuale. Jeta politik e shoqërore pamëshirshëm kërkon risi dhe hyrje të vlerave të reja në tregun e pangopshëm.

7.
Ngjarjet madhore kombëtare dhe historike, sado të mëdha e sado madhështore i nënshtrohen dhëmbit të kohës. Ato mbeten akte të mëdha brenda kohës dhe hapësirës, por nuk mund të zhvendosen dhe të përdoren si pjesë këmbimi që huazohen nga e kaluar për të përmirësuar avaritë dhe defektet e të sotmes. Fushata zgjedhore e 2021 tregoi më së miri se për mes “rugovizmit” dhe “vlerave të luftës së UÇK-së” nuk përfituan politikisht as LDK-ja as NISMA. Ky mossukses nuk i zbeh në vetvete as të ashtuquajturin “rugovizëm” as “vlerat e UÇK-së”. Ripërdorimi i gabuar i tyre është gabim. Dhe, nëse ngjarjet madhore i kërcënon dhëmbi i kohës – historisë, një dhemb tjetër i pamëshirshëm është edhe dhëmbi biologjik. Është mirë të lexohet ky faktor, që nuk tingëllon si kambanë, por duket në pasqyrë – mplakja.

8.
Reformimi kërkon guxim dhe vizion, por shoqërohet edhe me rezistencë dhe nuk është shesh i shtruar. Kosova po hyn në dekadën e tretë të shekullit 21. Gjeneratat që po formohen në Kosovën e lirë, prej 1999 e këndej duhet ta vënë në përdorim potencialin dhe vizionin e tyre. Shpesh barrikadimi i strukturave di të jetë pengesë për gjakun dhe mendimin e ri. Para kësaj gjendjeje ka dy rrugë, ose të lexohet mirë reformimi dhe të hapen subjektet tradicionale, ose potencialet që pengohen të rreshtohen në subjekte të reja. Partitë tradicionale së shpejti në Kuvendin e Kosovës do ta shohin se me çfarë kualiteti parlamentar do të përfaqësohen. Aty do të reflektohet kafshimi i dhëmbit historik dhe atij biologjik.

(Pikëpamjet në këtë shkrim janë shumë autoriale)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vizituar Teqen e Sheh…