
Refuzimi i dëshmimit në prokurori nga kryeministri Kurti është përpjekje për pengim të drejtësisë kundër korrupsionit
Shkruan: Hajdin Abazi
Albin Kurti, si kur ishte aktivist, ashtu edhe deputet opozitar dhe tash në cilësinë e kryeministrit, vazhdimisht ka pasur fërkime me drejtësinë, duke u përpjekur ta pengojë atë, pasi që ai mendon se fjala e tij duhet të jetë vetë drejtësia e jo ligjet dhe kushtetuta.
Sigurisht, drejtësia e Kosovës ka nevojë për ndryshime kualitative ashtu që t’i përafrohet nivelit të drejtësisë evropiane, edhe pse as kjo, në atë që po shihet në procesin gjyqësor në Hagë, nuk është gjithherë korrekte dhe lë vend për të dëshiruar për paanësi dhe qasje ndaj fakteve dhe fakteve të stisura ndonëse ende nuk është dhënë verdikti nga kjo gjykatë.
Nëse drejtësia e Kosovës ka refuzuar t’i nënshtrohet autoritarizmit të Kurtit dhe për aq sa do të vazhdojë ta bëjë këtë, ajo është duke bërë veprimin më të drejtë të mundshëm në mbrojtje të integritetit të vet si drejtësi, të ligjshmërisë dhe Kushtetutës, të paktën në këtë rast.
Nëse Albini mendon ta reformojë drejtësinë dhe ta ngrisë në nivel më të lartë, ai po i qaset kësaj në mënyrë krejt të gabuar. Nuk mund ta përmirësosh dikën duke e etiketuar si gjoja po e mbron korrupsionin kur pikërisht për korrupsion nuk po shkon të ndihmosh drejtësinë duke dhënë dëshminë tënde.
Refuzimi i Albinit si kryeministër është një shembull i keq, që e mëson secilin qytetar që t’i thotë prokurorisë eja në vendin e punës anë plazh kur jam në pushime e më intervisto – eja “po guxove”, dhe kështu e ushqen mosbindjen qytetare ndaj sistemit të drejtësisë.
Në vend të kësaj, Albin Kurti, mu si kryeministër do të duhej të jepte shembullin e një qytetari të virtytshëm e të ndershëm duke iu bindur urdhrit të prokurorisë. Këtu më vije ndërmend Sokrati, i cili padrejtësisht u dënua me vdekje, dhe kur iu afrua oferta për të ikur, ai refuzoi, vetëm e vetëm për të treguar se është gabim t’i iket drejtësisë. Por kryeministri Kurti nuk e ka një virtyt të tillë. Ai e kishte rastin që në fillim të tregonte se nuk abuzon me pushtetin për t’u mbrojtur nga drejtësia. Por ai po e bën të kundërtën. Ai po e shkakton një konflikt midis ekzekutivit dhe drejtësisë. Merreni me mend sikur gjyqi të lëshojë urdhër për arrestimin e Albin Kurtit, dhe ja konflikti: policia që kujdeset për të a do ta përfillte urdhrin për arrest apo për mbrojtje të tij?
Kurti ishte një mandat të plotë në qeverisje dhe i kishte të gjitha mundësitë ta ndihmonte drejtësinë për t’u përmirësuar dhe avancuar, duke iu afruar mbështetje në ndjekjen e të korruptuarve dhe duke ju ofruar kondita më të mira pune. Dhe Albini është për me e luftua korrupsionin, porse vetëm ndaj atyre që nuk janë me të, kurse për secilin që ka vepër korrupsioni dhe është me Albinin – aty drejtësia “vepron me hile”!
Përtej kësaj, duket se Kurti po ka nevojë për skandal, për acarimin e konfliktit midis ekzekutivit dhe gjyqësisë, me qëllim ndoshta që të nxiste reagim qytetar që mund të përfundonte në një kryengritje për të përmbysur sistemin e drejtësisë, që pastaj t’i vendos njerëzit e tij në pozita relevante në drejtësi dhe drejtësia të shoh me dioptrinë e Kurtit. Edhe po ta bëj këtë, ai do të ketë pengesa të mëdha, së pari, sepse nuk dihet epilogu dhe dhuna mund të përfundojë në tragjedi; së dyti, Bashkimi Evropian dhe ShBA nuk do ta pranonin një puç të tillë ndaj drejtësisë nga që do të ishte një presedan i rrezikshëm.
Kurti e di se në këto rrethana globale pas ardhjes së Trumpit sërish president i ShBA nuk ka më hapësirë manovrimi me veriun dhe minoritetin serb, po duhet të implementojë Marrëveshjen e Ohrit dhe atëherë do të shihet se ai ka pranuar autonomi për veriun dhe këtë nuk do te mundet t’ua adresojë as Thaçit e as Mustafës, po do të jetë vepër e tij që do ta demaskojë politkisht e kombëtarisht.
Për më tepër, kryeministri Kurti, në mënyrën si po artikulohet, po lë përshtypjen sikur ai po bën një akt patriotik, sepse po ju kundërvihet prokurorëve e gjyqtarëve që ”më shume e luftojnë qeverinë se sa korrupsionin”. Po gjithkund në botë korrupsioni bëhet nga qeveritarët, e jo nga njerëzit që nuk kanë qasje në tenderë e rrugë të tjera përfitimi jo të ligjshëm.
Nëse Albini është njëmend i lexueshëm sikurse thonë, ai duhet ta dijë se kështu kanë menduar të gjithë njerëzit në udhëheqje të pushtetit, të cilët kanë përfunduar në autoritarë ose edhe në diktatorë, dhe kanë pasur fund të pakëndshëm.
Sikurse të ishte ftesa e prokurorisë për dëshmi, le të themi, për lotsjellësit në Kuvendin e Republikës, duke qenë ato veprime me motive politike, mbase edhe mund te justifikohej, edhe pse nuk do të duhej ta bënte.
Por jo.
Ai është i ftuar nga prokuroria të dëshmojë për një rast korrupsioni dhe abuzimi me paratë e shtetit. Po, po, për çështje korrupsioni është ftuar Kurti të dëshmojë. Të dëshmojë se a është kryer korrupsion apo jo. Por ai po i ikë kësaj dëshmie. Dhe me këtë, ai, në mënyrë të tërthortë, po e mbron korrupsionin dhe po përpiqet ta pengojë drejtësinë për të ndriçuar të vërtetën.
Kryeministër Kurti ka përvoje me dëshmime para organeve të drejtësisë, dhe e di se askush nuk mundet ta detyrojë të nënshkruajë diçka që ai nuk e ka thënë e nuk e ka pohuar. Atëherë, përse ai po i ikë dëshmisë? Mbase, për shkakun se e di se ka fakte prokuroria dhe nuk mundet t’i mohojë dhe mundet që edhe vetë të jetë drejtpërdrejt i involvuar. Ndryshe, po të ishte vet i pastër, nuk do të kishte asnjë arsye reale për t’i ikur dhënies së dëshmisë, ku do të mund të tregonte pafajësinë e vet. Prandaj, kryeministër, mjaft i ike drejtësisë: shko e jep dëshmi! Shko, se nuk i ikë dot përgjithmonë drejtësisë!