Refuzohet ankesa e LV-së lidhur me procesin e votimit në Han të Elezit
Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje (LV), me seli në Prishtinë, Dega në Han të Elezit, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.221/2025, të datës 17.10.2025.
Në njoftimin e lëshuar për medie është bërë me dije se pasi PZAP-i e kishte hedhur si të pas-afatshme ankesën e LV-së, kjo e fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke kërkuar që “të urdhërohet hetim i librave origjinal të votimit për Komunën e Hanit të Elezit, të konstatohet se numri i lartë i rasteve të asistimit përbën shkelje të nenit 10 të Rregullores 12/2024 dhe të parimit të fshehtësisë së votës”, dhe “të urdhërohet përsëritja e votimit aty ku shkeljet janë të verifikueshme dhe ndikojnë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve”.
Kolegji i Gjykatës Supreme ka vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, në kuptim të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë, dhe pas shqyrtimit edhe të shkresave të lëndës, gjeti se ankesa është e pathemeltë.
Sipas Gjykatës Supreme sikur një ankesë e tillë apo secila ankesë tjetër të shqyrtohej në meritë apo përmbajtje edhe në rastet kur është e pas-afatshme, do të përbënte cenim të sigurisë juridike dhe do të kishim prolongim të ciklit të procesit zgjedhor.



