
Refuzohet kërkesa e Haxhi Shalës për lirim me kusht
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë refuzuar kërkesën e Haxhi Shalës për lirim me kusht.
Vendimi është marrë nga kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova më 14 korrik 2025.
Sipas vendimit, Shala kishte parashtruar se kishte përmbushur gjysmën e dënimit më 11 qershor 2025 dhe se dy të tretat e tij do i përmbushte më 11 dhjetor 2025. Ai kishte thënë lirimi i tij duhej të shqyrtohej në përputhje me nenin 90 të Kodit Penal të Kosovës, i cili sipas tij e lejonte lirimin e tillë me kusht pas përmbushjes së gjysmës së dënimit të shqiptuar. Shala ishte transferuar në Hagë në dhjetor 2023.
“Z. Shala gjithashtu parashtroi se zbatimi i nenit 90 të KPK-së do të plotësonte një boshllëk që rrjedh nga neni 51 (2) i Ligjit, i cili parashikon mundësinë e ndryshimit apo modifikimit të dënimit, duke qenë se kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara nuk rregullon shprehimisht kur një ndryshim apo modifikim i tillë mund të jepet. Ai parashtroi se rregulli i dy të tretave parashihet vetëm për uljen e dënimit, dhe neni 10 i Udhëzimit Praktik nuk “nënkupton se Kryetarja mund të modifikojë ose ndryshojë dënimin” vetëm nëse ulja e dënimit nuk është konsideruar e përshtatshme”, thuhet në vendim.
Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kundërshtuar këtë qëndrim duke pretenduar se Shala po përpiqet në mënyrë të gabuar të zbatojë këtë nen në kundërshtim me Ligjin për DhSK-së.
“ZPS më tej parashtroi se dispozitat e KPK-së nuk plotësojnë asnjë boshllëk, pasi kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara parashikon posaçërisht uljen, modifikimin dhe ndryshimin e dënimeve”, thuhet në vendim.
Në vendim thuhet se kryetarja e DhSK-së në disa raste të mëparshme kërkesat për shqyrtimin e uljes, modifikimit apo ndryshimit të dënimit bëhen të pranueshme për shqyrtim vetëm në rast se kanë përmbushur dy të tretat e dënimit.
Ndërsa, për argumentin e Shalës së neni 90 i KPK-së është i zbatueshëm në DhSK, kryetarja ka thënë se nuk mund të mbështetet.
Kryetarja thotë se letrat e shkëmbyera në mes Kosovës dhe BE-së, të ratifikuara në Kuvendin e Kosovës, parashikojnë që strukturat e DhSK-së do të rregullohen nga statusi dhe rregullat e tyre të procedurës dhe provave, duke përfshirë edhe dispozitat për kufizimet në dhënien e faljeve, paraburgimit ose ekzekutimin e dënimeve jashtë vendit.
Kryetarja ka thënë në vendimin e saj se funksionimi i DhSK-së rregullohet ekskluzivisht me nenin 162 të Kushtetutës dhe kuadrit juridik lex specialist (që i referohet ligjit të veçantë për DhSK-në)
“Kjo përfshin Ligjin me referenca të posaçme për ligjet e aplikueshme të Kosovës, Rregullat dhe dokumentet tjera juridike të Dhomave të Specializuara, si udhëzimet praktike, të miratuara në përputhje me nenin 19 (6) të Ligjit. Sa i përket ligjeve të tjera të Kosovës të zbatueshme, neni 3 (4) i Ligjit përcakton shprehimisht se asnjë ligj tjetër i Kosovës, që nuk është përfshirë shprehimisht në Ligj, nuk do të zbatohet për organizimin, administrimin, funksionet apo juridiksionin e Dhomave të Specializuara. Ekzekutimi i dënimeve, që përfshin edhe mundësinë e lirimit të parakohshëm, është pjesë përbërëse e administrimit dhe funksionimit të Dhomave të Specializuara”, thuhet në vendim.
Sipas kryetares Trendafilova, çdo ligj tjetër i Kosovës që nuk është përfshirë në Ligjin për DhSK-në, nuk është i zbatueshëm.
“…çdo ligj tjetër i Kosovës që nuk është përfshirë shprehimisht në Ligj nuk është i zbatueshëm para Dhomave të Specializuara sipas fjalisë së parë të nenit 3 (4) të Ligjit. Meqenëse kuadri i aplikueshëm para Dhomave të Specializuara nuk përfshin referencë për nenin 90 të KPK-së, çdo zbatim i tij do të ishte në kundërshtim me nenin 3 (4) të Ligjit dhe nenin 162 të Kushtetutës”, thuhet më tej në vendim.
Si rrjedhojë, kryetarja ka thënë në vendimin e saj se nuk qëndron pretendimi i Shalës se një boshëllëk i supozuar në kuadrin juridik të DhSK-së plotësohet me nenin 90 të KPK-së.
“Duke marrë parasysh si më sipër, kërkesa për përmbushjen e dy të tretave të dënimit është një kërkesë standarde për çdo kërkesë për ulje, modifikim apo ndryshim të dënimit sipas kuadrit rregullator të posaçëm përpara Dhomave të Specializuara”, thekson vendimi.
Si rrjedhojë, u refuzua kërkesa e Shalës si e papranueshme për shqyrtim pasi nuk i ka përmbushur dy të tretat e dënimit të tij.
Ndryshe, më 4 shkurt 2025, është shpallur aktgjykimi ndaj Shalës dhe ndaj dy bashkë të akuzuarve tjerë (Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit), me ç’rast trupi gjykues i pranoi marrëveshjet për pranimin e fajësisë. Si rrjedhojë, Haxhi Shala u dënua me tri vite burgim dhe Bahtijari e Januzi me nga dy vite.
Trupi gjykues urdhëroi Shalën që të paguajë 400 euro për viktimën 1, ndërsa Januzin me 100 euro. Obligime financiare nuk u përcaktuan për Bahtijarin. Ky obligim është kryer dhe viktimës më 17 shkurt 2025 i janë dorëzuar mjetet.
Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u liruan me kusht. Vendimi për lirimin e tyre u mor më 19 shkurt 2025, ndërsa lirimi iu mundësua më 21 shkurt 2025.
Sabit Januzi, Haxhi Shala dhe Ismet Bahtijari pranuan fajësinë për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe atë të frikësimit përmes një marrëveshje të arritur në mes tyre dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Kjo marrëveshje u arrit pak ditë para se të nisë gjykimi ndaj tyre në nëntor të 2024-ës.
Gjatë seancave për ndryshim të deklaratave të fajësisë, Bahtijari dhe Januzi ishin shprehur të penduar për veprat për të cilat e pranuan që i kanë kryer.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar më 12 janar 2024 aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dhe atë të Haxhi Shalës.
Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.
Sa i takon aspektit procedural, më 8 shkurt 2024, gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou kishte miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.
Në vendimin për bashkimin e aktakuzave thuhet se, gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale, duke specifikuar që kanë vepruar si grup. Po ashtu, në vendim thuhet se, vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike. Si rrjedhojë, u vendos që çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrin KSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.
Megjithatë, akuza të reja u shtuan edhe për Bahtijarin dhe Januzin për frikësim përmes premtimit apo dhuratës. Këto akuza u përfshinë në aktakuzën e përbashkët ndaj tre të akuzuarve si dhe ndryshimet në atë u konfirmuan më 8 korrik 2024. Si rrjedhojë, ZPS-ja kishte dorëzuar më 10 korrik aktakuzën e përbashkët së bashku me ndryshimet përkatëse.
Ashtu sikurse për akuzat paraprake, Bahtijari dhe Januzi ishin deklaruar të pafajshëm. Kjo situatë ndryshoi edhe datat që ishin vendosur për kalimin e çështjes te trupi gjykues, ku fillimisht ishte caktuar data 21 qershor, pastaj 5 dhe 22 korrik 2024.
Ndryshe, Shala kishte kërkuar që procesi i tij të ndahet nga Bahtijari dhe Januzi, në mënyrë që të ketë një gjykim më të përshpejtuar, por kjo kërkesë ishte refuzuar.
Çështja ndaj këtyre tre të akuzuarve i kaloi trupit gjykues më 4 shtator, ku më pas, në seancat përgatitore, u vendos që gjykimi të fillojë më 14 nëntor 2024. Por, me kërkesën e palëve për t’i finalizuar marrëveshjet për pranimin e fajësisë, gjykimi u shty.
Më 13 nëntor 2024, ZPS-ja informoi trupin gjykues që kanë arritur marrëveshjen e pranimit të fajësisë me tre të akuzuarit dhe, më 6 dhjetor, ZPS-ja kishte dorëzuar versionin e rishikuar të aktakuzës, ashtu siç kishte urdhëruar trupi gjykues, duke përfshirë edhe marrëveshjet për pranimin e fajësisë. Në aspektin procedural, marrëveshjet e arritura mes Shalës dhe Januzit ishin pranuar, kurse ajo e Bahtijarit u cilësua se kishte mangësi procedurale.
Megjithatë, më 16 dhjetor, palët kishin informuar trupin gjykues se kishin arritur një marrëveshje të re të fajësisë me Bahtijarin dhe ia dorëzuan atë trupit gjykues. Lidhur me këtë, palët kishin dorëzuar më 17 dhjetor 2024 aktakuzën e rishikuar, e cila në bazë ishte ajo e 10 korrikut 2024, por përfshinte edhe ndryshimet e bëra të asaj të 17 dhjetorit lidhur me marrëveshjet për pranimin e fajësisë.
Si rrjedhojë, në seancën e 18 dhjetorit, Shala dhe Januzi u deklaruan fajtorë për veprat që kanë kryer si dhe u pranua proceduralisht marrëveshja e arritur mes ZPS-së dhe Bahtijarit. Ndërsa, më 19 dhjetor Bahtijari u shpreh i penduar dhe fajtor.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar më 12 janar 2024 aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dhe atë të Haxhi Shalës.
Në seancën e parë, para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Bahtijari dhe Januzi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Gjithashtu, më 8 korrik janë bërë ndryshime në aktakuzën e përbashkët ku janë shtuar akuzat ndaj Bahtijarit dhe Januzit për frikësim përmes premtimit ose dhuratës, e cila përkufizohet edhe me Kodin Penal të Kosovës.
Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.
Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.
Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.
Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.
Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.
Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup./BetimipërDrejtësi