Regaibe Osmani, figurë e veçantë e arsimit shqiptar
Shumë e dashur mësuese Regaibe Osmani,
E nderuar autore Adelina Beluli,
Familjarë të mësueses Regaibes dhe të Adelinës,
Të dashur miq të librit dhe të arsimit,
Sot jeni mbledhur për të përuruar një libër të veçantë dhe për ta nderuar dhe respektuar një mësuese të veçantë, të pashoqe e të pazëvendësueshme. Ky libër nuk është vetëm një rrëfim për jetën e një gruaje, mësueseje dhe intelektualeje, por një dëshmi për një epokë, një përpjekje për ta ruajtur kujtesën dhe për ta nderuar një figurë që i ka shërbyer arsimit dhe shoqërisë me përkushtim të jashtëzakonshëm ndër dekada.
Libri “Një jetë, shumë histori” i autores Adelina Beluli na sjell para një figure të veçantë të arsimit shqiptar, mësuesen Regaibe Osmani. Përmes rrëfimit të saj ne nuk njohim vetëm jetën e saj e të bashkëkohanikeve të saj, por përballemi me historinë e një brezi të tërë që e pa arsimin si mision dhe si përgjegjësi ndaj shoqërisë.
Në kohë të vështira historike, kur mundësitë për arsim ishin të kufizuara, sidomos për gratë, figura të tilla si mësuesja Regaibe u bënë pishtarë të dijes e të emancipimit të gruas dhe vajzave. Ajo përfaqëson atë brez mësuesish që nuk e ushtronin profesionin vetëm si punë, por si thirrje shpirtërore dhe si detyrë kombëtare.
Ky libër është i rëndësishëm për disa arsye.
Së pari, ai ruan kujtesën e një jete që ka kontribuar në formimin e shumë brezave.
Së dyti, na kujton sakrificat dhe përkushtimin e mësuesve që ndërtuan themelet e arsimit shqip në rrethana jo gjithmonë të lehta.
Dhe, së treti, është shembull frymëzues për brezat e rinj, që të kuptojnë se rruga e dijes është gjithmonë rrugë e sakrificës dhe e dinjitetit.
Autorja Adelina Beluli ka bërë një punë të çmuar duke mbledhur kujtime, dokumente dhe dëshmi që sot shndërrohen në një rrëfim të gjallë dhe të sinqertë. Përmes këtij libri ajo jo vetëm që nderon gjyshen e vet por, në të njëjtën kohë, nderon të gjithë mësuesit që kanë punuar me përkushtim për edukimin dhe arsimimin e brezave.
Në fakt, libri që po përuroni sot është më shumë se një biografi. Ai është një homazh për mësuesinë, për fuqinë e dijes dhe për ata njerëz të heshtur që me punën e tyre të përditshme kanë ndryshuar jetën e shumë të tjerëve.
Adelina duke e shkruar, mësuesja Regaibe duke rrëfyer e ne duke e botuar këtë libër, kemi bërë një akt të rëndësishëm kulture: kemi shpëtuar nga harresa një histori që meriton të kujtohet dhe të përcillet.
Dhe në fund, dua të them se çdo libër që shkruhet për mësuesit është një libër që i shërben shoqërisë, sepse mësuesit janë ata që ndërtojnë të ardhmen, shpeshherë pa zhurmë, por me ndikim të jashtëzakonshëm.
Prandaj, uroj që ky libër të lexohet nga shumë lexues, veçanërisht nga të rinjtë, sepse në faqet e tij do të gjejnë jo vetëm historinë e një mësueseje, por edhe një mësim të madh për jetën.
Urime autores për këtë vepër të bukur dhe mirënjohje të thellë për mësuesen Regaibe Osmani për gjithë kontributin e saj në arsim dhe në shoqëri!
Jemi shumë të nderuar që këtë libër e botuam në Prishtinë.
Ju faleminderit për pjesëmarrjen dhe urime 7 Marsin!
Fjalë rasti e botuesit, Berat Armagedoni, në përurimin e librit “Një jetë, shumë histori” të autores Adelina Beluli, mbajtur në Kumanovë më 07.03.2026




