Ushtria e Kosovës përmbylli me sukses stërvitjen fushore “Steel-02”

03 dhjetor 2020 | 16:22

Në zonën stërvitore, afër kazermës së FSK-së “Ushtarët e NATO-s” në Istog, u realizua demonstrimi stërvitor përmbyllës i Kompanisë 2A të Regjimentit të Dytë të Forcave Tokësore të FSK-së në kuadër të stërvitjes fushore katërditore “Steel-02”.

Për të parë nga afër demonstrimin e operacioneve stërvitore ishin ministri i Mbrojtjes, Anton Quni dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, të shoqëruar nga zyrtarë e oficerë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të FSK-së, raporton “Epoka e re”.

Në fillim ata u pritën nga komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneralbrigade Fadil Hadergjonaj dhe stafi i tij i cili falënderoi për vizitën duke e vlerësuar lart si shprehje e kujdesit permanent të lidershipit me ndikim të madh në motivimin për punë të suksesshme edhe në të ardhmen.

Me këtë rast, komandanti i Regjimentit të Dytë, nënkolonel Astrit Haliti dhe komandanti i Kompanisë 2A, kapiten Kreshnik Zeneli, njoftuan lidhur me qëllimin e stërvitjes, konceptin, njësitë e angazhuara, përbërjen e tyre, organizimin, skenarin, si dhe operacionet të cilat u ekzekutuan në stërvitjen përkatëse.

Pas demonstrimit stërvitor, pjesëtarëve të task-forcës pjesëmarrëse në stërvitje iu drejtua ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, i cili shprehu përshtypjet e tij për nivelin e lartë të profesionalizimit të demonstruar gjatë stërvitjes.

“Demonstrimi juaj i sotëm më bënë shumë krenar dhe me besim të plotë se aftësitë dhe kapacitetet tuaja profesionale janë në nivelin më të lartë për t’u përballur me të gjitha kërcënimet dhe rreziqet e formave të ndryshme bashkëkohore e shumë komplekse që mund ta cenojnë integritetin e vendit dhe sigurinë e qytetarëve tanë”, ka thënë ministri Quni.

Nga ana e tij, gjeneral Rama ka shprehur vlerësimin e lartë për nivelin e planifikimit dhe ekzekutimit të kësaj stërvitje, duke theksuar se ky nivel i profesionalizmit të demonstruar është dëshmi e fuqishme se Kosova ka forca të ndërveprueshme për operacione të përbashkëta me forcat aleate. “Misioni ynë fisnik dhe detyrat tona kërkojnë mund, sakrificë dhe përgjegjshmëri të lartë. Për këtë duhet të jemi gjithmonë të vetëdijshëm për të tashmen dhe të ardhmen e vendit duke kujtuar gjithmonë të kaluarën tonë dhe mbështetjen e partnerëve tanë”, ka thënë gjeneral Rama.

Me këtë stërvitje përmbyllet suksesshëm cikli i stërvitjeve të planifikuara të Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë për këtë vit dhe ishte aktiviteti i radhës i Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së në kuadër të procesit të zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve operacionale për mbrojtjen e territorit, si detyrim kryesor ligjor i saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se “Air Albania Stadium”…