Regjisori Qosja: Politikanët, aktorë të shkëlqyeshëm
Teatri në Kosovë ka evoluuar, por nuk e ka “aromën” e dikurshme, nuk ka më shfaqje kult dhe “është vendosur pas skenës”, ka thënë ë regjisori Isa Qosja, pedagog i pensionuar i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës.
Autori i filmave “Proka” (1984), “Rojet e mjegullës” (1988), “Kukumi” (2005), “Tri dritare dhe një varje” (2014) dhe “Lejleku” (2024), ka vlerësuar se censura që ishte e pranishme në art për arsye ideologjike në sistemin socialist, tashmë ka trajtë tjetër dhe kushtëzohet nga buxheti dhe privilegjet.
“Me dashje e pa dashje, njerëzit i nënshtrohen fuqisë së parasë. I nënshtrohen fuqisë së pozitës në këtë vend”, ka thënë Qosja në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”.
Megjithëse ka vlerësuar se kinematografia e Kosovës ka shënuar përparim dhe ka pasur suksese, ai ka theksuar se ende pret të shohë “autorë, krijues, të cilët nuk e imitojnë krijimtarinë, por janë vetvetja”.
Shfaqja e filmit të tij të fundit, “Lejleku”, i punuar së fundmi në vendlindjen e tij, në Vuthaj të Malit të Zi është ndërprerë në Podgoricë, në shtatorin e vitit 2025, për shkak se komunikonte në gjuhën shqipe.
“Do ta kishin ndërprerë çdo film tjetër, jo vetëm këtë, nëse bëhet fjalë për atë se nuk duan ta dëgjojnë gjuhën shqipe”, ka thënë Qosja, duke kritikuar nacionalizimin e skajshëm dhe, siç e quan ai, “të zgjuar vonë dhe me ankth të tmerrshëm”.
Ai ka vlerësuar se politika në Kosovë nuk po e shqyrton mjaftueshëm kulturën, ndërkohë që, sipas tij, politikanët janë shndërruar në “aktorë të shkëlqyeshëm”.
Intervistën e plotë mund ta lexoni: KËTU



