Regjistrohen mbi 13 mijë votues jashtë Kosovës për votim me postë, afati mbyllet më 29 gusht

22 gusht 2025 | 14:25

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë me dije se është duke vazhduar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe deri më 29 gusht 2025, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

Aplikimi për regjistrim duhet të jetë individualë dhe mund të bëhet përmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Nga data 23 korrik dhe deri të premten, më 22 gusht 2025, përmes platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar 16.902 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 13.360, ndërkaq janë refuzuar 3.542, raporton KosovaPress.

Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tyre jashtë Kosovës, dokument identifikues në të cilin është e shënuar adresa e banimit, vërtetim i adresës nga autoriteti lokal, kontratë të qirasë, faturë shërbimesh, dokument i lëshuar nga banka apo kompania e sigurimit, dokument që dëshmon adresën e personit tek i cili qëndrojnë përkohësisht, dëshmi tjetër banimi për rastet specifike, rezervim hoteli, konvikti, etj.

Sipas procedurës, aplikimet e pakompletuara, të cilat kanë mungesë të dokumenteve mbështetëse, do të refuzohen.

KQZ thotë se shtetasit e Kosovës që do të regjistrohen gjatë kësaj periudhe, do të mund të votojnë përmes postës në periudhën e cila do të fillojë më 17 shtator dhe do të përmbyllet më 11 tetor 2025.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu,…