Reka: Brukseli po zgjeron hendekun në mes të BE-së dhe Ballkanit

27 qershor 2022 | 16:37

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, ka akuzuar Bashkimin Evropian (BE) se nuk po punon në zgjerimin e saj kur bëhet fjalë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas Rekës, BE-ja është duke e bërë të kundërtën me këtë rajon.“Në vend të zgjerimit të BE-së në Ballkan, duket se Brukseli po e zgjeron hendekun mes BE-së dhe rajonit”, ka shkruar ai llogarinë e vet në “Twitter”.

Shërbimi diplomatik i Bashkimit Evropian ka lëshuar një komunikatë të hënën, ku ka thënë se zgjerimi i BE-së me vendet që janë të gatshme dhe të afta për t’i përmbushur kushtet, nuk është favorizim, por interes strategjik i tij.

“Javën e kaluar, Këshilli Evropian vendosi që e ardhmja e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë qëndron në BE. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë tashmë në atë rrugë dhe BE-ja gjithashtu ka ripërsëritur angazhimin e saj ndaj tyre”, është thënë në njoftimin e lëshuar nga shërbimi diplomatik i BE-së.

Sipas njoftimit, vendet e Ballkanit Perëndimor me të drejtë kanë kërkuar që procesi i anëtarësimit të tyre, të gjykohet sipas meritave

“Kanë kaluar pothuajse 20 vjet që kur BE-ja deklaroi në Selanik se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda BE-së, kështu që një shkallë e caktuar padurimi nga ana e tyre, për të thënë të paktën, është e kuptueshme”, është thënë në këtë njoftim.

Në Samitin e mbajtur në Bruksel më 23 qershor, ku është diskutuar edhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret. Gjatë këtij samiti nuk është dhënë ndonjë datë për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, e po ashtu Kosova nuk ka marrë ndonjë datë për liberalizimin e vizave, e as Bosnjë-Hercegovina nuk ka marrë statusin e kandidatit për anëtar të BE-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Big Brother VIP Kosova” do të startojë edicionin e tij…