
Reka konsull në Nju Jork? Musliu-Shoshi: Kaq për moralin politik të Donika Gërvallës
Të premten është raportuar se ministrja e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla ka rekomanduar ish-ministrin e Integrimeve Evropiane, Blerim Rekën si konsull të përgjithshëm të Kosovës në Nju Jork.
Rreth këtyre raportimeve ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, duke thënë se kjo është në kundërshtim me ligjin.
Po ashtu, ajo ka thënë se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ka larguar dhjetëra diplomatë vetëm sepse ata ishin targëtuar si të afërt me njerëz të qeverive të kaluara.
“Qeveria Kurti i largoi dhjetëra diplomatë e konsuj vetëm pse i kishte targetuar si të afërt me njerëz të ish-qeverive të kaluara, ndërsa tash vetë ministrja Gërvalla rekomandon një ish-ministër të LVV-së për Konsull të Përgjithshëm në New York. Kaq për moralin politik të Gërvallës, me të cilin po e udhëheq politikën e jashtme. Krejt në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore në fuqi! Pasojat e keqqeverisjes me MPJD-në dhe të largimit të diplomatëve e konsujve, që me vite të tëra i kanë shërbyer vendit, Kosova do t’i vuajë shumë gjatë!”, ka shkruar Musliu-Shoshi në llogarinë e vet në “Facebook”.