Rekomandimi për liberalizimin e vizave, para pushimeve

11 korrik 14:42

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë të martën se janë në pritje të rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka bërë me dije se vendimi për vizat do të merret para pushimeve të verës.

“Ne presim rekomandim pozitiv ngaqë Kosova ka punuar për plotësimin e kritereve dhe tani presim të ketë një vendim para pushimeve të verës”, është shprehur Hoxha, duke shtuar se tashmë Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara për këtë proces. “Pjesa e punës sonë është finalizuar sipas afateve të parapara, pra të gjitha 95 kushtet për liberalizim nga udhërrëfyesi janë përmbushur. Procesi është në duar të vendimmarrësve evropianë, në rend të parë të Komisionit për Migrim dhe Çështje të Brendshme. Ne presim një proces të drejtë dhe të barabartë sikurse edhe vendet e tjera të rajonit që kanë kaluar nëpër këtë proces”, ka theksuar ministrja Hoxha.

Ajo ka paralajmëruar se pas marrjes së rekomandimit për viza do të lansohet fushata që ka për qëllim informimin e qytetarëve për të mos e keqpërdorur liberalizimin e vizave.

“Po, ne jemi gati ta fillojmë këtë proces sa më shpejt dhe në mbarë Kosovën, duke përfituar të gjithë qytetarët nga lëvizja e lirë dhe duke mos lejuar keqpërdorimin e liberalizimit. Ne do të ndërmarrim veprime informuese gjithëpërfshirëse me të gjitha institucionet e vendit, së bashku me mediet dhe shoqërinë civile”, ka treguar Hoxha. Sipas saj, Kosova ka arritur ta vë në kontroll migrimin dhe ka statistikat më të ulëta jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Ministrja Hoxha ka shprehur përkushtimin e institucioneve për përshpejtimin e reformave të agjendës për integrime evropiane.

“Ne nuk kemi kohë për të humbur dhe nuk guxojmë të lejojmë grumbullimin e realizimit të obligimeve tona në proces. Për shtator jemi përkushtuar që të gjitha veprimet që dalin nga ERA të përfundojnë që përkon edhe me mundësinë e vizitës nga komisionari Hahn. Integrimi në vlerat evropiane nuk është proces i njëhershëm, por i vazhdueshëm. Deri në shtator duhet t’i përfundojmë detyrimet tona ndërkombëtare për ERA-n”, ka thënë ajo, duke shtuar se procesi i zbatimit të MSA-së duhet të vijojë me dinamikë të re si proces prioritar qeveritar për t’iu bashkuar sa më parë familjes dhe vlerave evropiane.

“Epoka e re”: Znj. Hoxha, në fillim të këtij muaji është pritur se Komisioni Evropian do ta publikojë rekomandimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. Mund të na tregoni çfarë është duke ndodhur me këtë proces?
Hoxha: Pjesa e punës sonë është finalizuar sipas afateve të parapara, pra të gjitha 95 kushtet për liberalizim nga udhërrëfyesi janë përmbushur. Procesi është në duar të vendimmarrësve evropianë, në rend të parë të Komisionit për Migrim dhe Çështje të Brendshme. Presim një proces të drejtë dhe të barabartë sikurse edhe vendet e tjera të rajonit që kanë kaluar nëpër këtë proces.

“Epoka e re”: Çështja e emigrantëve a mund të ndikojë në shtyrjen e procesit të liberalizimit?
Hoxha: Debati që po zhvillohet në vendet anëtare të BE-së për migrimin patjetër që është një çështje shumë e rëndësishme për këto vende. Ne i kuptojmë shqetësimet e tyre, por Kosova është shtet i sigurt i origjinës dhe ne kemi punuar shumë dhe kemi legjislacionin sipas praktikave më të mira të vendeve të BE-së, institucione të kualifikuara për zbatimin e legjislacionit si dhe fushatat vetëdijesuese kundër migrimit ilegal duke e penguar me mjete ligjore. Tashmë kjo dukuri e perceptimit negativ ndaj vendit tonë është ndalur. Kosova ka arritur ta vë në kontroll migrimin dhe kemi statistikat më të ulëta jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

“Epoka e re”: Duke u bazuar në punën që kanë bërë institucionet e Kosovës, prisni që rekomandimi të jetë pozitiv?
Hoxha: Presim rekomandim pozitiv ngaqë Kosova ka punuar për plotësimin e kritereve. Tani presim të ketë një vendim para pushimeve të verës. Ne si institucione jemi të përkushtuar dhe të angazhuar që reformat e agjendës së integrimit evropian të vazhdojnë dhe të përshpejtohen pavarësisht prej procesit të liberalizimit të vizave.

“Epoka e re”: Pasi Kosova ta marrë liberalizimin, do të nisë ndonjë fushatë Ministria e Integrimit Evropian për t’ua shpjeguar qytetarëve rregullat që duhet t’u përmbahen?
Hoxha: Po, ne jemi gati të fillojmë këtë proces sa më shpejt dhe në mbarë Kosovën, duke përfituar të gjithë qytetarët nga lëvizja e lirë dhe duke mos lejuar keqpërdorimin e liberalizimit. Ne do të ndërmarrim veprime informuese gjithëpërfshirëse me të gjitha institucionet e vendit, së bashku me mediet dhe shoqërinë civile.

“Epoka e re”: Ministre, ju keni kërkuar nga ministritë përkatëse me shumë angazhim për përmbushjen e obligimeve që dalin nga Agjenda për Reforma Evropiane (ERA) deri në muajin shtator. Ka shanse që deri në këtë afat kohor të përfundohet ERA?
Hoxha: Ne kemi afatet për zbatimin e Agjendës Evropiane të Reformave, të ndara nëpër institucione, duke ndjekur secilin kapitull, secilin segment të veprimtarisë institucionale në vend. Ne nuk kemi kohë për të humbur dhe nuk guxojmë ta lejojmë grumbullimin e realizimit të obligimeve tona në proces. Për shtator jemi përkushtuar që të gjitha veprimet që dalin nga ERA të përfundojnë, që përkon edhe me mundësinë e vizitës nga komisionari Hahn. Integrimi në vlerat evropiane nuk është proces i njëhershëm, por i vazhdueshëm. Deri në shtator duhet t’i përfundojmë detyrimet tona ndërkombëtare për ERA-n. Ndërsa procesi i zbatimit të MSA-së duhet të vijojë me dinamikë të re si proces prioritar qeveritar për t’iu bashkuar sa më parë familjes dhe vlerave evropiane.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në pritjen e organizuar…